Putini sheh shanse të reja për marrëdhënie më të mira me BE
Sanksione ekonomike, aneksimi i Krimesë dhe rasti Skripal: raporti midis Rusisë dhe BE është i tendosur. Hapa të vegjël mund të kenë efekt të madh, u tha në vizitën në Vjenë
Austria synon ta shfrytëzojë Presidencën e saj në Këshillin e Bashkimit Evropian në gjysmën e dytë të këtij viti për t’i rigjallëruar sërish marrëdhëniet midis BE dhe Rusisë, tha Kancelari i Austrisë Sebastian Kurz (ÖVP). “Ne besojmë se një situatë win-win është më e mirë për të dyja palët se një situatë lose-lose”.
Tone qetësuese nga Moska
Që para se të mbërrinte në Vjenë, me një intervistë që i dha Radiotelevizionit Austriak (ORF) Putini u shpreh me tone qetësuese. Ai i kundërshtoi kritikat se vendi i tij synon ta përçajë Bashkimin Evropian. “Ne nuk ndjekim synimin për të përçarë diçka apo dikë në Bashkimin Evropian”, tha ai. Rusia përkundrazi është e interesuar që Bashkimi Evropian, si partneri më i rëndësishëm tregtar dhe ekonomik “të jetë i bashkuar dhe të lulëzojë”. Sa më shumë probleme që të ketë BE, aq më shumë probleme ka edhe Rusia, u shpreh më tej Putini. Putini kundërshtoi edhe pohimin se partia e tij Rusia e Bashkuar ka marrëdhënie me partinë populiste të djathtë FPÖ, e cila është në koalicionin qeveritar në Austri.
Kjo ishte vizita e gjashtë e Putinit në kryeqytetin austriak. Të dyja vendet i lidhin tradicionalisht marrëdhënie të ngushta dhe miqësore. Republika e Alpeve preferon ta shohë veten si ndërtuese urash diplomatike mes Perëndimit dhe Lindjes. Shkas për vizitën aktuale ishte përvjetori i 50-të i marrëveshjes së parë të furnizimit me gaz midis Austrisë dhe Bashkimit Sovjetik./DW
Fraksion.com


