Mosbindja civile, Fleckenstein takon Bashën
Pas thirrjes për protesta dhe mosbindje civile nga opozita, Eurodeputeti Knut Fleckenstein ka zhvilluar një takim me kreun e PD Lulzim Basha.
Mësohet se në fokus të diskutimeve kanë qenë zhvillimet e fundit për sa i përketë protestës për heqjen e taksës së “Rrugës së Kombit” si dhe lirimin e protestuesve të arrestuar
Opozita ka paralajmëruar se ditën e nesërme do të bllokojë akset rrugore kryesore, deri sa kryeministri Edi Rama të tërhiqet nga vendimi i tij.
Kryedemokrati u shpreh para raporterit të Parlamentit Europian për Shqipërinë Knut Fleckenstein se kryeministri Edi Rama po instalon në vend një sistem autokratik ku kontrollon të gjitha pushtetet, që po i përdor për të dhunuar dhe shkelur të drejta dhe liritë kushtetuese të qytetarëve.
Basha tha se qytetarët shqiptarë po vuajnë grabitjen e dyfishtë nga qeveria dhe drejtësinë me dy standarde, të kontrolluar nga qeveria. Qytetarët në burg dhe kriminelët në liri është standardi Rama për drejtësinë e kapur.
Me urdhër të Edi Ramës policia dhunoi sot deputetët e opozitës në tentativë për të penguar transparencën e rrëmbimit të paligjshëm dhe dhunimit të të drejtave të protestuesve dhe familjarëve dhe fëmijëve të tyre, tha Basha.
Kreu i PD theksoi qëndrimin e Partisë Demokratike për hapjen e negociatave pavarësisht se qeveria ka bërë regres në përmbushjen e 5 kritereve kyçe. Basha argumentoi se nga një vendim negativ për moshapjen e negociatave tyre përfiton sistemi autokrat që Rama po instalon nëpërmjet kapjes së shtetit, çka u tregua edhe sot me veprimet e paligjshme dhe të dhunshme të policisë, prokurorinë dhe gjykatën.
Sipas tij mosbindja civile është refuzimi që qytetarët i bëjnë grabitjes dhe padrejtësisë qeveritare theksoi kreu i opozitës.

