Berisha-mazhorancës: Raportin për integrimin e keni mbushur me mashtrime

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot në Kuvend se mazhoranca ka paraqitur një raport mbi integrimin në Bashkimin Evropian “i cili nga fjala e parë, tek fjala e fundit është mashtrim dhe vetëm mashtrim”.
Sipas tij, “ky është një akt jashtëzakonisht i rëndë në një moment shumë të rëndësishëm për shqiptarët, për Shqipërinë”.
Berisha tha se raporti i paraqitur në Kuvend nuk është lexuar publikisht dhe sipas tij kjo është bërë që qytetarët të mos njihen me përmbajtjen reale të dokumentit. Sipas Berishës, raporti përmban vetëm “burokraci dhe trillime”.
“Ju paraqisni një raport para parlamentit që nuk guxoni ta lexoni dhe vendosni në mënyrë antikushtetuese që raporti të mos lexohet, që qytetarët të mos njihen me mashtrimet tuaja.
“Nuk ka akt më jo serioz. Prandaj kërkoj të tërhiqet menjëherë raporti. Raporti është fund e krye mashtrime dhe burokraci. Keni renditur vendime qeverie, etj me radhë”, tha Berisha.
Berisha kërkoi leximin e plotë të raportit në Kuvend para se të zhvillohen diskutimet dhe të votohet rezoluta.
“Raporti nuk miratohet. Raporti duhet të lexohet këtu, dhe mbi bazën e raportit të lexuar, të bëhen diskutimet dhe pastaj të votohet rezoluta. Ju krijoni agjendën sipas qejfit tuaj. Si ka mundësi të diskutojmë për një raport që nuk e dinë qytetarët se çfarë është?
“Pse ua fshihni qytetarëve raportin? Sepse e keni mbushur me mashtrime. Të dashur qytetarë, e kanë mbushur fund e krye me mashtrime. Nuk guxojnë t’i dalin zot raportit. Si mund të pranosh ti një gjë të tillë z. Kryetar, të flasësh për integrimin një raport të tërë dhe qytetarët nuk e dinë çfarë është thënë?”, tha ai.
Fraksion.com
