“Integrimin po e mbani hermetik”, Vokshi: Rama të mos bëjë agjenda, por të vijë të flasë shqip në Kuvend

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka deklaruar se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian po mbahet i mbyllur dhe hermetik nga qeveria.
Në fjalën e saj në Kuvend, ajo kërkoi që kryeministri Edi Rama të raportojë publikisht për ecurinë e negociatave dhe të japë llogari mbi procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ajo shtoi gjithashtu se qytetarët dhe Kuvendi duhet të kenë më shumë informacion mbi ecurinë e procesit, duke theksuar se vendet e rajonit po ecin më shpejt drejt BE-së.
“Është një nga raportet më të dobëta. Nuk i jep përgjigje asnjë çështjeje dhe as nuk informon publikun. Kjo është arsyeja pse procesi e mbani sekret. Dhuka duhet të ishte sot këtu për t’u dhënë përgjigje shqetësimeve të deputetëve. Edi Rama s’duhet të flasë serbisht, por shqip. Mali i Zi shumë shpejt do të mbyllë gjithë kapitujt dhe do të hyjë shumë më parë se Shqipëria në familjen europiane. Është një proces që po e mbani sekret hermetik. Çfarë sekreti mbani? Madje, u kërkohen certifikata sigurie personave që bëjnë negociatat. AKSHI në duart e krimit të organizuar. Pse integrimi të jetë hermetik?”, tha Vokshi.
Fraksion.com
