AktualitetBota+Të fundit

Spanjë: Si ndodhi përplasja e trenave me 68 viktima?

Një tren i ndaluar, ndërsa një tjetër afrohet me shpejtësi të madhe: Në aksidentin e rëndë hekurudhor humbën jetën të paktën 68 vetë. Sipas të dhënave të para për shkakun e aksidentit: me gjasë ka pasur gabim njerëzor.

Rrjeti hekurudhor i Spanjës për trenat me shpejtësi të lartë konsiderohet si një nga më modernët në botë. Megjithatë, për herë të dytë brenda një viti ndodhi një aksident i rëndë hekurudhor. Të paktën 68 persona humbën jetën mëngjesin e së mërkurës (28.10.2026), kur një tren u përplas me një tren tjetër që kishte ndaluar, me sa duket me shpejtësi të madhe. Mediat spanjolle raportojnë se shpejtësia ishte mbi 100 kilometra në orë.

Ndërsa më shumë se 100 të plagosurit po marrin trajtim mjekësor, kanë nisur hetimet për shkaqet e aksidentit. E qartë është se në fillim të tragjedisë pati një defekt teknik.

Sipas të dhënave të para, në rajonin Kastilja-La Mança kishte dalë jashtë funksionit sistemi i automatizuar i sigurisë. Sistemi i kontrolluar nga kompjuteri përcakton se cilët trena në linjën e largët Madrid-Sevilje duhet të ndalojnë ose të ulin shpejtësinë kur distanca mes dy trenave zvogëlohet. Sipas hetimeve fillestare, aksidenti ka të ngjarë të jetë shkaktuar nga gabimi njerëzor.

Qendra e kontrollit në Madrid mori nën kontroll trenat

Sipas ministrit të Transportit Óscar Puente, sistemi i automatizuar doli jashtë funksionit në orën 8:30. Si pasojë, të gjithë trenat në segmentin 63 kilometra të gjatë të linjës u ndalën. Më pas, punonjësit e qendrës së kontrollit në Madrid morën përsipër drejtimin e trafikut.

Sipas gazetës spanjolle El País, vetëm gjashtë minuta më vonë qendra e kontrollit në Madrid u dha makinistëve, me shkrim dhe me telefon, udhëzimin që të vazhdonin udhëtimin me shpejtësi „normale”. Në fakt, rregulloret parashikojnë në raste të tilla ecjen me ngadalsësi, me një shpejtësi prej 40 kilometrash në orë. Me këtë shpejtësi ekziston mundësia që treni të frenojë në kohë.

Vetëm 25 kilometra larg njëri-tjetrit ndodheshin dy trena në të njëjtën linjë hekurudhore: treni me shpejtësi të lartë i kompanisë shtetërore Renfe, me 397 pasagjerë në bord, dhe një tren i operatorit Iryo me 147 udhëtarë. Ky i fundit, me sa duket, nuk kishte mundur të nisej për shkak të problemeve teknike, raportojnë gazetat El Mundo dhe El País.

Ministri i Transportit flet për gabim njerëzor

Personeli i trenit Iryo kishte njoftuar me telefon qendrën e kontrollit për problemet teknike. Përveç kësaj, sipas El País, në ekranet e qendrës së kontrollit në Madrid shihej qartë se treni i Renfe-s dhe ai i Iryo-s ndodheshin në të njëjtën linjë. Megjithatë, 17 minuta më vonë treni i Renfe-s u përplas me shpejtësi të madhe me trenin e Iryo-s.

Ministri i Transportit Puente flet për gabim njerëzor. Sinjali ishte vendosur në të kuqe, shpjegoi ministri. Megjithatë, një punonjës i operatorit të rrjetit hekurudhor Adif në qendrën e kontrollit kishte dhënë lejen për vazhdimin e udhëtimit, ndërkohë që treni Iryo ishte ende i ndaluar, tha Puente. Kjo është „e pashpjegueshme” dhe një „vendim i gabuar”.

Sindikata e makinistëve: Rrethanat „shumë të çuditshme”

Ende shumë gjëra mbeten të paqarta. Sindikata e makinistëve i cilësoi rrethanat e aksidentit si „shumë të çuditshme” në një deklaratë për gazetën El Mundo.

Me sa duket, në qendrën e kontrollit askush nuk e udhëzoi makinistin e trenit të Renfe-s që të qëndronte i ndaluar. Punonjësi përgjegjës tashmë përfaqësohet nga një avokat. Tani po hetohet se përse as eprori dhe as kolegu i tij nuk paralajmëruan për aksidentin që po kanosej.

Një tjetër aksident i rëndë sivjet edhe në janar

Aksidenti rikthen kujtimet e aksidentit të rëndë hekurudhor që ndodhi në janar të këtij viti pranë Adamuzit, në Andaluzi. Atëherë, një tren i Iryo-s me shpejtësi të lartë doli nga shinat dhe u përplas me një tren të Renfe-s që po vinte nga drejtimi i kundërt. Në atë aksident humbën jetën 46 persona dhe më shumë se 150 të tjerë u plagosën. Si shkak i aksidentit, i cili atëherë ndodhi në një segment të hapur të linjës hekurudhore, dyshohet një thyerje e shinës./DW

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com