AktualitetPolitikëTë fundit

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, interpelancë me ministrin Gonxhja

Kuvendi zhvillon sot seancën plenare, ku parashikohet shqyrtimi i disa projektligjeve dhe projektvendimeve që lidhen me ekonominë, biznesin, mbrojtjen e konsumatorit dhe administratën publike.

Sipas rendit të ditës, një nga pikat e para të diskutimit do të jetë interpelanca me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, e kërkuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa.

Në vijim, deputetët do të shqyrtojnë projektligjin “Për Bankën e Shqipërisë”, i cili kërkon shumicë të cilësuar votash për miratim, si dhe aktin normativ për ndryshime në ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”.

Gjithashtu në rend dite është parashikuar që të shqyrtohet projektligji “Për Këshillin Fiskal të Republikës së Shqipërisë”, si dhe projektligjin “Për mbrojtjen e konsumatorit”.

Po ashtu, në seancë janë përfshirë disa nisma ligjore që lidhen me Qendrën Kombëtare të Biznesit, regjistrimin e biznesit, tregtarët dhe shoqëritë tregtare, si dhe shndërrimin, bashkimin dhe ndarjen ndërkufitare të shoqërive tregtare.

Në rend dite është përfshirë edhe projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit financiar Shqipëri–Gjermani për vitin 2024, që lidhet me rinovimin e konvikteve të universiteteve publike në Shqipëri sipas parimit të eficiencës së energjisë.

Kuvendi do të shqyrtojë gjithashtu ndryshime në legjislacionin për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik ose strehim social, si dhe zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara.

Në rendin e ditës janë përfshirë edhe ndryshime në ligjin për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, si dhe ndryshime në ligjin për peshkimin.

Seanca parashikon shqyrtimin e disa projektvendimeve që lidhen për personelin me kohë jo të plotë pune në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në kuadër të organizimit të zgjedhjeve vendore të vitit 2027, ndryshimet në strukturën e personelit me kohë të plotë të KQZ-së, si dhe ndryshimet në strukturën organizative të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com