“Përgjegjësit e kësaj katrahure do të paguajnë”, Rama flet nga zyra e djegur e Kolegjit të Europës: Këto s’janë duart e studentëve, por të opozitës që e do Shqipërinë në humnerë
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas protestave të studentëve që kanë vijuar në Tiranë, duke akuzuar opozitën për përshkallëzimin e tensioneve dhe duke paralajmëruar ndëshkim për personat që, sipas tij, janë përfshirë në ngjarjet e fundit.
“Rrënoja të duarve që nuk mund të jenë të studentëve. Studentët janë e ardhmja dhe janë ata që shohin larg e duan të shkojnë larg shpejt. Kanë të mirëpritur e për ta jemi gati të flasim e diskutojmë, të gjejmë zgjidhje për gjërat që kërkojnë zgjidhje”, shkruan Rama.
Kreu i qeverisë ia atribuoi tensionet opozitës, duke e akuzuar se po përpiqet të pengojë, sipas tij, përparimin e Shqipërisë përmes akteve të dhunës.
“Këto janë të tjera duar, duart që përpiqen të ulin poshtë Shqipërinë sa herë përpiqet të shkojë lart, janë duart e opozitës që me maska të verbërish para, me zjarr e hekur kërkon ta rikthejë Shqipërinë aty ku nuk do të rikthehet kurrë, në humnerën nga ku e nxorëm”, vijon reagimi i kryeministrit.
Rama i cilësoi zhvillimet si “orë të vështira”, por theksoi se Shqipëria do të vijojë rrugën drejt Bashkimit Europian. Në reagimin e tij, ai paralajmëroi gjithashtu pasoja ligjore për personat që, sipas tij, janë përfshirë në ngjarjet e fundit.
Fraksion.com

