AktualitetPolitikëTë fundit

“Frikë nga protesta e studentëve”, anulohet seanca plenare! Deputetët socialistë dalin nga godina

Seanca plenare e Kuvendit, e parashikuar të zhvillohej sot në orën 10:00, është anuluar në një kohë kur Tirana vijon të përballet me protesta dhe tensione.

Vendimi vjen pas dy ditësh protestash, ku studentët dhe gjimnazistët kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë në rrugë, ndërsa tubimet janë shoqëruar me përplasje, akte dhune dhe dëmtime të institucioneve e bizneseve private.

Ndërkohë Kuvendi nuk ka dalë ende me një njoftim zyrtar.

Po sot pritet takimi i Edi Ramës me ministrat dhe deputetët socialistë.

Kujtojmë se Kuvendi do të zhvillonte sot në orën 10:00 seancën plenare publike, ku në rendin e ditës janë parashikuar tri interpelanca me ministra, shqyrtimi i disa projektligjeve dhe ngritja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.

Interpelanca e parë e seancës së sotme do të ishte  interpelanca urgjente me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, të kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike.

Në vijim, ishte parashikuar dy interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët Ermal Pacaj dhe Tedi Blushi, si dhe një interpelancë me ministrin e Financave, Petrit Malaj, të kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.

Në rendin e ditës përfshihet projektligji për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, të miratuar në Luksemburg më 13 maj 2025, si dhe projektligji për ratifikimin e marrëveshjes me Maqedoninë e Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe kryerjen e kontrolleve të përbashkëta.

Deputetët do të shqyrtoonin gjithashtu projektligjin për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për shërbimet e pagesave”, projektligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, si dhe ndryshimet në ligjin “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”.

Një tjetër çështje në rendin e ditës është projektligji “Për treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale”.

Gjatë seancës pritet të shqyrtohet edhe projektvendimi “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë”.

Seanca do të përmbyllet me diskutimet e deputetëve për çështje jashtë rendit të ditës.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com