100.000 aplikues përfitojnë nga subvencioni për automobilët
Subvencioni për automobilët elektrikë ekziston që nga maji. Qeveria njofton se deri tani e kanë marrë 100.000 aplikues. Schneider, politikan i SPD-së (Partia Socialdemokrate e Gjermanisë), i tha së përditshmes gjermane Bild: „Programi i subvencionimit i ka tejkaluar ndjeshëm pritjet tona dhe tashmë ka ndihmuar 100.000 familje të mbrohen nga çmimet e larta të karburantit.”
Sipas tij, çdo automjet elektrik shtesë e bën Gjermaninë më të pavarurnga importet e shtrenjta të naftës dhe nga konfliktet ndërkombëtare. Nga paratë përfitojnë njerëz që më parë as që u kishte shkuar ndër mend të blinin një automjet elektrike tha Schneider.
Më pak se 15 për qind për automjete nga Kina
Schneider thotë se tre të katërtat e aplikuesve kanë të ardhura familjare të tatueshme deri në 60.000 euro. „Për mua është veçanërisht e rëndësishme që shkallëzimi social po funksionon”, theksoi ai.
Ministria e Mjedisit njofton se rreth 90 për qind e 100.000 kërkesave të miratuara janë për automjete tërësisht elektrike. Hibridet plug-in (që karikohen edhe në prizë) zënë më pak se 10 për qind. Subvencionet për blerje dhe për marrje me qira (Leasing) ndahen thuajse përgjysmë.
Më parë Ministria i kishte hedhur poshtë shqetësimet se nga subvencioni do të përfitonin kryesisht prodhuesit kinezë të makinave. Analizat e para tregojnë se deri tani më pak se 15 për qind e kërkesave janë për automjete nga Kina.
Qeveria synon të subvencionojë deri në 800.000 automjete elektrike
Subvencionin mund të përfitojë kushdo që blen ose merr me leasing një automjet elektrik të ri. Ai vlen edhe për hibride plug-in të caktuara, që lëvizin si me rrymë, ashtu edhe me karburant. Përfshihen po ashtu automobilët elektrikë me të ashtuquajturit zgjatës autonomie. Këta janë motorë të vegjël me djegie të brendshme, që ia shtojnë automjetet autonominë.
Subvencioni vlen vetëm për automjetet private; makinat e kompanive nuk përfitojnë. Kusht është që automjeti të jetë regjistruar më 1 janar të këtij viti ose më pas.
Shuma e ndihmës shtetërore varet nga lloji i automjetit, nga të ardhurat e tatueshme dhe nga numri i anëtarëve të familjes. Subvencioni mund të arrijë deri në 6.000 euro. Sipas qeverisë, fondet në dispozicion, gjithsej tre miliardë euro, mjaftojnë për rreth 800.000 automjete të subvencionuara në periudhën 2026–2029./dw
Fraksion.com

