Spanjë: Qeveria miraton ndryshime në ligjin për strehimin
Qeveria e kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez miratoi me dekret ndryshime në ligjin për strehimin dhe qiratë. Me këtë hap koalicioni qeverisës synon t’u përgjigjet protestave mbarëkombëtare kundër përkeqësimit të vazhdueshëm të situatës në tregun e banesave në Spanjë.
Gjatë fundjavës . Prej tri ditësh protestuesit kanë ngritur edhe një kamp të paligjshëm proteste përpara selisë së qeverisë rajonale të Madridit.
Shkak për protestat masive u bë nxjerrja me forcë nga banesa me qira i 87-vjeçares, Maricarmen Abascal, e cila kishte jetuar në atë apartament për 70 vjet. Fati i saj ngjalli solidaritet, zemërim dhe indinjatë në mbarë Spanjën.

Ndërkohë, sipas avokates së saj, Maricarmen Abascal është kthyer në banesën e saj. Kjo u arrit pas negociatave disaorëshe me pronarët e apartamentit.
Nxjerrjet me forcë nga banesat pezullohen deri në vitin 2030
Dekretet e miratuara parashikojnë që nxjerrjet me forcë nga banesat të pezullohen deri në vitin 2030, në rastet kur preken persona në nevojë sociale dhe kur për ta nuk ka një zgjidhje alternative strehimi.
Po ashtu një nga dekretet përcakton që kontratat e qirasë që skadojnë të zgjaten automatikisht deri më 31 dhjetor 2028. Ndërkohë fondeve të mëdha të investimeve në pasuri të paluajtshme u ndalohet deri në vitin 2028 të blejnë ndërtesa banimi në Spanjë.
Dekreti i dytë parashikon që kontratat e qirasë të mos jenë më me afat të caktuar. Deri tani kontratat e qirasë në Spanjë kanë një kohëzgjatje maksimale prej tetë vjetësh. Pas skadimit të tyre qiramarrësit dhe pronarët duhej të negocionin një kontratë të re.

Me hyrjen në fuqi të dekretit të ri qiramarrësit do të kenë të drejtën të kërkojnë vazhdimin e kontratës ekzistuese, duke forcuar kështu mbrojtjen e tyre ndaj rritjes së qirave dhe rrezikut të nxjerrjes me forcë nga banesa.
Nevojitet edhe konfirmimi nga parlamenti
Në Spanjë një dekret qeveritar hyn në fuqi menjëherë pas publikimit, por ai duhet të miratohet nga parlamenti brenda një muaji. Për këtë qeverisë pakicë të kryeministrit Pedro Sánchez i nevojitet mbështetja e forcave të tjera politike, të cilat në disa raste kanë qëndrime të ndryshme lidhur me politikat e strehimit.
“Prej kohësh ekziston një konsensus i gjerë shoqëror për politikën e strehimit. Ajo që ka munguar ka qenë konsensusi politik”, deklaroi ministrja spanjolle e Strehimit, Isabel Rodríguez.
Për shkak të protestave mbarëkombëtare qeveria tani mund të shpresojë se parlamenti do t’i miratojë dekretet, pasi masat e propozuara përbëjnë disa nga kërkesat kryesore të dhjetëra-mijëra spanjollëve që kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër krizës së strehimit dhe situatës së vështirë në tregun e banimit./DW
Fraksion.com

