Rama: Konkurs ndërkombëtar për transformimin e “Tajvanit”, pesë studio arkitekturore në garë
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në prezantimin e pesë projekteve të përzgjedhura në konkursin ndërkombëtar për “Tirana Fountain Tower”, projekt që synon transformimin e godinës së ish-“Tajvanit” në Parkun Rinia.
Në konkurs marrin pjesë pesë studio ndërkombëtare të arkitekturës: Barozzi Veiga nga Spanja, BIG – Bjarke Ingels Group nga Danimarka, Cobe nga Danimarka, l’AUC nga Franca dhe JDSA – Julien De Smedt Architects nga Franca.
Rama tha se për projekte me rëndësi të veçantë për zhvillimin urban, Shqipëria po u drejtohet profesionistëve me profile dhe karriera të spikatura në planifikim, projektim arkitektonik dhe ndërtim.
“Sot jemi këtu për të riadresuar zhvillimin e një prone ku në krye të herës u ngrit një park dhe më pas, po aty, në atë park, u ngrit një ndërtesë”, tha Rama.
Kryeministri iu referua historisë së godinës së njohur si “Tajvani”, duke kujtuar transformimet që ka pësuar ndër vite, që nga ndërtimi i saj në periudhën e komunizmit e deri te zhvillimet e mëvonshme.
Sipas Ramës, transformimi i kësaj hapësire duhet t’u përgjigjet nevojave të një Tirane që ka ndryshuar ndjeshëm në dekadat e fundit.
“Sot jemi këtu përsëri për një zhvillim tjetër të asaj godine, e cila ka nevojë të transformohet për të adresuar nevojat dhe ambiciet e një qyteti që sot nuk është më ai që ishte as në vitet ’50, kur u krijua Parku Rinia, as më pas në fundvitet ’70 dhe fillimvitet ’80, kur u ndërtua Tajvani”, u shpreh ai.
Rama theksoi se bëhet fjalë për një projekt të sipërmarrjes private në pronë private, por që për shkak të pozicionit në zemër të Parkut Rinia do të ketë ndikim edhe në hapësirën përreth.
“Është një projekt që, për arsye se zhvillohet në zemër të parkut, brenda perimetrit të pronës private, aty ku aktualisht jemi në kushtet që duhet rindërtuar, por nga ana tjetër ndërtimi do të ketë një impakt të rëndësishëm në gjithë hapësirën përreth”, tha Rama.
Pikërisht për shkak të këtij ndikimi, sipas kryeministrit, është zhvilluar një konkurs ndërkombëtar, me synimin për të pasur një gamë të gjerë alternativash për mënyrën e rikonceptimit dhe rizhvillimit të godinës.
“Duke ia besuar në radhë të parë një mundësie zgjedhjeje të gjerë vendimin për cila do të jetë mënyra sesi do të rikonceptohet dhe rizhvillohet Tajvani dhe, nga ana tjetër, duke besuar shumë fort që me arkitektët që janë vënë në dispozicion të kësaj sfide do të kemi mundësi të bëjmë një zgjedhje e cila të jetë më e mira e mundshme për zhvillimin e asaj prone, por edhe për vetë kryeqytetin”, u shpreh Rama.
Pesë projektet e paraqitura do të konkurrojnë për konceptin e ardhshëm arkitektonik të “Tirana Fountain Tower”, në një proces që synon të përcaktojë transformimin e kësaj hapësire në qendër të Tiranës.
Fraksion.com

