AktualitetPolitikëTë fundit

Zhupa kallëzim në Kushtetuese për VKM-në e Pishë Poro-Nartë: I hapet rrugë ndërtimit në zonat e mbrojtura

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, njëherësh kryetare e komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, depozitoi sot në Gjykatën Kushtetuese një ankimim për VKM-në nr. 596 që lidhet me ndryshimet ligjore në zonën e Pishë Poro-Nartë dhe mundësinë e zhvillimit të projekteve të ndërtimit në këtë territor.

Pas daljes nga Gjykata Kushtetuese, Zhupa deklaroi se dokumentet e paraqitura nga opozita dëshmojnë për një proces gradual të ndryshimit të statusit të mbrojtjes së zonës, i cili më pas krijon mundësi për ndërtime.

Zhupa u shpreh se sipas këtij vendimi, një rezervat natyror i menaxhuar (kategoria e katërt) kalon në kategorinë e pestë si peizazh i mbrojtur.

Sipas saj, kjo shoqërohet me uljen e sipërfaqes nga 5551 hektarë që ishin më parë dhe heqjen e zonimit të mëparshëm që përfshinte një zonë qendrore ku ndërtimet ishin të ndaluara. Zhupa theksoi se 43% e këtij peizazhi të mbrojtur dikur përbënte zonë qendrore me ndalim të plotë ndërtimi, ndërsa me ndryshimet e reja heqja e këtyre zonave i hap rrugë ndërtimeve kudo në Pishë Poro-Nartë.

“Me ligjin e ri dhe me ndryshimin e kësaj VKM-je janë hequr edhe nënzonat. Pra, praktikisht me këtë VKM, jo vetëm që kalojnë nga kategoria e katërt në kategorinë e pestë, por u hoqën edhe nënzonat, që do të thotë kudo në Pishë Poro-Nartë t’i mund të ndërtosh. Duke cenuar drejtpërdrejt një zonë të mbrojtur menjëherë me ligj dhe më pas duke e pasuar me VKM”, tha Zhupa.

Zhupa theksoi se kjo VKM e ul sipërfaqen dhe kategorinë e mbrojtjes. Për këtë arsye, çështja sipas saj është dërguar në Gjykatën Kushtetuese për t’u përballur me standardet e Bashkimit Evropian dhe për t’i dhënë përgjigje kërkesave të qytetarëve që kanë protestuar për më shumë se 20 ditë në mbrojtje të këtyre zonave.

“Për t’ia lënë topin Gjykatës Kushtetuese se sa do t’i përgjigjet Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë standardeve të Bashkimit Evropian, sepse sot e ka kërkuar dhe e ka thënë Bashkimi Evropian që është në kundërshtim me MSA-në dhe me standardet, dhe sa i përgjigjet qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, që kanë 20 ditë që protestojnë dhe kërkojnë që Gjykata Kushtetuese t’i përgjigjet atyre dhe jo të bëjë një institucion që nuk i shërben askujt përveç se interesave të Edi Ramës”, tha ajo.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com