Zelensky: SHBA propozon bisedime trepalëshe Ukrainë-Rusi në Emiratet e Bashkuara Arabe
SHBA-ja ka propozuar mbajtjen e bisedimeve trepalëshe në nivel teknik midis Ukrainës, SHBA-së dhe Rusisë, duke sugjeruar Emiratet e Bashkuara Arabe si vendin e takimit, deklaroi të premten, më 25 shtator, Presidenti Volodymyr Zelensky.
Kievi tani po pret që Uashingtoni të propozojë një datë për takimin, u tha Zelensky gazetarëve, përfshirë ata të “Kyiv Post”.
“Sa i përket takimit trepalësh, pala amerikane propozoi përgatitjen dhe mbajtjen e një takimi në format trepalësh në nivel teknik,” tha Zelensky.
“Ne jemi duke pritur propozime nga SHBA-ja lidhur me datën. Sa i përket vendndodhjes – SHBA-ja propozoi Emiratet,” shtoi ai.
Takimi i propozuar vjen në një kohë kur Uashingtoni po intensifikon përpjekjet diplomatike për të ndërmjetësuar dhënien fund të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Zelensky ka thënë se Ukraina po diskuton disa rrugë të mundshme drejt një armëpushimi, përfshirë një armëpushim në sektorin e energjisë, një armëpushim detar dhe formatin e negociatave trepalëshe të propozuar nga SHBA-ja.
SHBA-ja gjithashtu e ka ftuar Presidentin rus Vladimir Putin të marrë pjesë në samitin e G20-ës në Miami në muajin dhjetor, duke hapur potencialisht derën për bisedime që do të përfshinin Putinin, Presidentin amerikan Donald Trump dhe Zelenskyn.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e njoftoi ftesën të enjten, pas takimit me Ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
Rubio tha se ftesa kishte për qëllim t’i jepte Putinit mundësinë për të bashkëvepruar me Trumpin dhe liderë të tjerë botërorë, por nuk nënkuptonte se një takim ishte i pashmangshëm.
Kremlini fillimisht e mirëpriti ftesën, duke thënë se çështja do të trajtohej përmes kanaleve diplomatike.
Por të premten, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se ishte ende herët për të diskutuar udhëtimin e Putinit në Miami, duke shtuar se Moska nuk kishte marrë ende një vendim dhe do të përgjigjej më vonë.
Kremlini më parë e kishte hedhur poshtë mundësinë e një takimi Putin-Zelensky në samitin e G20-ës, me Peskovin që deklaronte se dy liderët mund të takoheshin vetëm në Moskë.
Ndërkohë, Zelensky ka thënë se është i gatshëm të marrë pjesë në samitin e G20-ës dhe të takohet me Putinin nëse Uashingtoni e fton liderin rus. Samiti i G20-ës është planifikuar të mbahet më 14-15 dhjetor në Miami.
Abu Dabi në qendër të vëmendjes
Rusia gjithashtu e sheh Abu Dabin si një vendndodhje prioritare për një rifillim të mundshëm të negociatave, deklaroi më herët ndihmësi i Kremlinit, Yuri Ushakov.
Mundësia e rifillimit të bisedimeve u diskutua pasi presidenti rus Vladimir Putin u takua në Moskë, më 5 shtator, me të dërguarin e posaçëm amerikan Steve Witkoff dhe Jared Kushner-in, dhëndrin e Trump-it.
Takimi zgjati më shumë se tri orë, gjatë të cilit palët diskutuan se çfarë mund të bënte “realisht” Uashingtoni për të ndihmuar në dhënien fund të luftës, sipas Kremlinit.
Të nesërmen, delegacioni amerikan udhëtoi drejt Kievit për bisedime me zyrtarët ukrainas.
Witkoff i përshkroi diskutimet me Putinin si konstruktive dhe tha se Uashingtoni kishte dëgjuar “ide të reja” nga Moska, ndërsa Kushner-i foli për një “paketë paqeje” më të gjerë.
Zelensky i cilësoi bisedimet me të dërguarit amerikanë si “shumë thelbësore” dhe tha se Kievi ishte i gatshëm të kalonte drejt negociatave trepalëshe që përfshinin Ukrainën, SHBA-në dhe Rusinë. Në një pjesë të diskutimeve në Kiev morën pjesë edhe këshilltarët e sigurisë kombëtare nga Britania, Franca dhe Gjermania.
Rundet e mëparshme të bisedimeve trepalëshe u mbajtën në Emiratet e Bashkuara Arabe në janar dhe shkurt, të ndjekura nga një raund i tretë në Zvicër, në muajin shkurt.
Një raund i katërt ishte planifikuar për në mars në Abu Dabi, por u shty për shkak të luftimeve në Lindjen e Mesme.
Fraksion.com

