Presidenti i Iranit para gazetarëve në Nju Jork: Ne nuk po përpiqemi ta vrasim Trumpin!
Daljet në media të Presidentit iranian Masoud Pezeshkian brenda Iranit janë aktivitete të kontrolluara rreptësisht.
Megjithatë, të enjten ai iu përgjigj pyetjeve të një grupi gazetarësh në Nju-Jork, ku po qëndron për vizitë nën mbrojtjen e Shërbimit Sekret të SHBA-së, pavarësisht se është udhëheqësi i një vendi që ndodhet në luftë me Shtetet e Bashkuara.
Gjatë këtij takimi të gjerë, të zhvilluar një ditë pasi mbajti fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Pezeshkian përsëriti qëndrimet e njohura iraniane lidhur me luftën, programin bërthamor dhe disidencën brenda Iranit. Ai foli gjithashtu për ndikimin e sanksioneve te populli iranian dhe pohoi se Irani nuk do të përpiqej kurrë të vriste Donald Trumpin – pavarësisht akuzave të presidentit dhe autoriteteve amerikane se regjimi po planifikonte atentatin ndaj tij.
Këto komente u bënë në hotelin “Millennium Hilton”, fare pranë selisë së OKB-së, ku të mërkurën presidenti iranian deklaroi se vendi i tij “nuk do të përkulet” ndërsa lufta me SHBA-në vazhdon.
Gjatë takimit me gazetarët, Pezeshkian foli edhe për takimet e fundit me Udhëheqësin Suprem të Iranit, Ali Khamenei – i cili nuk është parë në publik që nga fillimi i luftës – duke thënë se udhëheqësi gëzonte “shëndet të mirë”.
Muajt e fundit janë shtuar spekulimet rreth shëndetit të Khameneit, pasi u raportua se ai kishte pësuar lëndime të rënda gjatë sulmit amerikano-izraelit që vrau babanë dhe paraardhësin e tij, Ali Khamenei, në fillim të konfliktit në muajin shkurt.
Duke folur për gjendjen e Khameneit, Pezeshkian tha: “Nuk vura re ndonjë problem serioz me shëndetin apo pamjen e tij fizike”, duke shtuar se takimi i tyre i fundit ballë për ballë kishte ndodhur rreth një muaj më parë dhe kishte zgjatur rreth shtatë orë.
Pezeshkian tregoi se gjatë takimit ata ishin ulur në jastëkë në dysheme dhe ishin ngritur herë pas here për të ecur. Sipas vlerësimeve të inteligjencës amerikane, pavarësisht lëndimeve, Khamenei vazhdon të luajë një rol kyç në përcaktimin e strategjisë së luftës krahas zyrtarëve të lartë iranianë; këtë e konfirmuan në muajin maj burime të shumta të njohura me të dhënat e inteligjencës.
Një takim në Manhattan
Prania e delegacionit iranian në një vend me të cilin vazhdon të jetë në luftë është një rast thuajse i paprecedentë. Por ky spektakël mori një karakter gjithnjë e më të pazakontë të enjten, kur presidenti iranian dhe ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, u dhanë informacione gazetarëve – përfshirë atyre të CNN-it – në një sallë takimesh të një hoteli në Midtown Manhattan.
Një zyrtar i Departamentit të Shtetit deklaroi në fillim të kësaj jave se delegatët iranianë që po vizitonin vendin po “lejoheshin të hynin në Shtetet e Bashkuara vetëm për qëllimin e përfaqësimit të Republikës Islamike të Iranit pranë Kombeve të Bashkuara” dhe se ata duhet t’i “kufizonin aktivitetet e tyre vetëm në çështje që lidhen me Kombet e Bashkuara”.
Iranianët “duhet të kërkojnë dhe të marrin miratimin paraprak” nga Departamenti i Shtetit nëse dëshirojnë të udhëtojnë jashtë zonës përreth selisë së OKB-së, Aeroportit Ndërkombëtar “John F. Kennedy” ose ambienteve të misionit iranian në OKB, tha zyrtari.
Gjatë takimit informues, Pezeshkiani i mohoi akuzat se Irani po përpiqej të vriste presidentin, duke thënë se “nuk ka qenë kurrë qëndrimi [i qeverisë iraniane], hapur apo fshehurazi, që të kërkonte vrasjen e Trumpit apo të anëtarëve të familjes së tij”.
Muajin e kaluar, Shërbimi Sekret i SHBA-së deklaroi se ishte në dijeni të një videoje të transmetuar nga televizioni shtetëror iranian, e cila dukej se kërcënonte jetën e Barron Trumpit, djalit më të vogël të presidentit. Kjo ndodhi pasi Izraeli ndau me SHBA-në informacione të inteligjencës se Irani kishte hartuar një plan për të vrarë Donald Trumpin. Në fund të vitit 2024, Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së njoftoi ngritjen e akuzave federale lidhur me atë që e përshkroi si një komplot iranian të penguar për të vrarë Trumpin para zgjedhjeve presidenciale.
Mediat iraniane të vijës së ashpër kanë publikuar vazhdimisht materiale që kërcënojnë jetën e Trumpit dhe të familjes së tij. Gjatë ceremonive të varrimit të Khameneit në korrik, mbështetës besnikë të regjimit u panë duke mbajtur pankarta me mbishkrimin “Vriteni Trumpin”. Edhe vetë Trumpi ka folur publikisht për kërcënimet iraniane ndaj jetës së tij, duke thënë në korrik: “Jam në çfarëdo liste… deri tani, mendoj se kam pasur pak fat, por ndoshta kjo nuk do të zgjasë shumë. Këta janë njerëz të këqij dhe të sëmurë.”
Në përgjigje të komenteve të Pezeshkianit, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, tha: “Regjimi iranian ka vrarë mijëra nga populli i tij, ka vrarë amerikanë jashtë vendit, ka kryer akte terrorizmi në Ngushticën e Hormuzit dhe ka ndërmarrë sulme pa dallim ndaj fqinjëve të tij në rajon.”
“Presidenti po siguron me guxim që një vend kaq i lig të mos zotërojë kurrë armë bërthamore, gjë që do ta bëjë të gjithë botën më të sigurt dhe më të qëndrueshme,” tha Kelly.
“Kemi probleme”
Pezeshkian foli gjithashtu për sfidat e brendshme me të cilat përballet Irani. Sanksionet amerikane dhe lufta e vazhdueshme e kanë mbytur ekonominë e vendit, duke shkaktuar rritje të çmimeve dhe mungesë të produkteve bazë.
Presidenti iranian tha gjithashtu gjatë seancës se Irani dëshiron një marrëveshje, por se çdo marrëveshje nuk kishte lidhje me kohën e zgjedhjeve të ndërmjetme në SHBA.
Veç kësaj, po të enjten, Araghchi tha se Irani kishte paraqitur një propozim për SHBA-në, i cili — sipas Iranit — do të rihapte ngushticën e Hormuzit dhe do të rifillonte negociatat drejt një “marrëveshjeje përfundimtare”.
Propozimi, i paraqitur SHBA-së përmes ndërmjetësve këtë javë, kërkon që SHBA-ja të përmbushë kushte të caktuara brenda shtatë ditëve për të rifilluar bisedimet dhe për të rihapur ngushticën, tha Araghchi. Ministri i Jashtëm nuk pranoi të jepte detaje mbi kushtet, por tha se ato nuk ishin “asgjë më shumë” sesa ajo që përfshihej në Memorandumin e Mirëkuptimit të Islamabadit.
Ajo marrëveshje, e arritur nga të dyja vendet në qershor, përfshinte dispozita për lehtësimin e sanksioneve, lirimin e aseteve të ngrira dhe ndalimin e operacioneve ushtarake, përfshirë ato në Liban.
Në përgjigje të komenteve të Araghchi-t, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i tha CNN-it se po zhvilloheshin “diskutime pozitive dhe konstruktive përmes ndërmjetësve”.
Ekonomia e Iranit ishte në gjendje të rëndë edhe para se të fillonte lufta; kushtet e këqija ishin një faktor kyç që nxiti demonstratat kundër regjimit, të cilat nisën në kryeqytetin iranian, Teheran, në vitin 2025.
“Kemi probleme. Probleme jashtëzakonisht të vështira,” u tha Pezeshkian gazetarëve të enjten, ndërsa i cilësoi sanksionet amerikane si një “fushatë të heshtur vrasëse”.
Ashtu si në fjalimin e tij të së mërkurës drejtuar liderëve botërorë, Pezeshkian u shfaq i sigurt gjatë konferencës për shtyp se Irani do të triumfonte pavarësisht sfidave me të cilat përballej vendi i tij. Ai gjithashtu këmbënguli se bazat amerikane në rajon ishin objektiva legjitime, pasi ishin përdorur për të sulmuar Iranin. “Shumica e bazave amerikane në rajon nuk janë më të përdorshme,” pohoi ai.
Goditjet iraniane dëmtuan dhe shkatërruan qindra ndërtesa e struktura në bazat amerikane anembanë Lindjes së Mesme gjatë muajve të parë të luftës, sipas një raporti zyrtar mbikëqyrës të Pentagonit të publikuar në fillim të këtij muaji.
“Sigurisht, SHBA-ja ka fuqinë të shkatërrojë çdo gjë kudo, por është e pamundur të arrihet dorëzimi i Iranit,” tha Pezeshkian.
Fraksion.com

