Kongresi i 10-të i Traumës, Begaj: Kërkohet sistem kombëtar për akses cilësor për çdo qytetar
Në Tiranë u zhvillua sot kongresi i 10-të shqiptar i Traumës dhe Kirurgjisë Emergjente, organizuar nga Shoqata shqiptare e Traumës dhe Kirurgjisë Emergjente (ASTES) me pjesëmarrjen e profesionistëve të fushës së mjekësisë dhe kirurgjisë.
Kongresi përbën një forum të rëndësishëm për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave, prezantimin e kërkimit shkencor dhe forcimin e bashkëpunimit profesional në fushën e traumës dhe kirurgjisë emergjente.
Në punimet e kongresit ishte i pranishëm edhe Presidenti Bajram Begaj, i cili gjatë fjalës përshëndetëse theksoi rëndësinë strategjike të sistemit të traumës për shëndetin publik.
“Trauma dhe kirurgjia e urgjencës nuk duhen trajtuar thjesht si një specialitet mjekësor. Ato janë çështje të shëndetit publik dhe, në një kuptim të veçantë, janë shtyllë e sigurisë sonë kombëtare”, tha Begaj.
Presidenti i Republikës theksoi nevojën për forcimin e mëtejshëm të sistemit të traumës, me koordinim të plotë të të gjitha hallkave të kujdesit shëndetësor, nga ndërhyrja e parë në vendngjarje, deri te rehabilitimi i pacientëve.
“Shqipërisë i duhet një sistem kombëtar i traumës gjithnjë e më i integruar, me protokolle të njëtrajtshme, koordinim dhe akses cilësor për çdo qytetar, pavarësisht vendit ku ai ndodhet. Gjatë viteve, vendi ynë ka ngritur kapacitete të rëndësishme. Spitali Universitar i Traumës, shoqatat profesionale, Universiteti i Mjekësisë dhe veprimtari si ky kongres kanë konsoliduar përvojën e një komuniteti profesionistësh që meriton mirënjohje të thellë”.
Duke iu referuar përvojave të tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë, Begaj tha theksoi rëndësinë e gatishmërisë dhe bashkëpunimit mes institucioneve shëndetësore, emergjencave civile, Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura, që duhet të funksionojnë si një mekanizëm i unifikuar.
Presidenti Begaj u ndal, gjithashtu, te zhvillimet teknologjike në mjekësi. Duke vlerësuar potencialin e inteligjencës artificiale, kirurgjisë robotike dhe teknologjive të reja diagnostikuese, Presidenti i Republikës u shpreh: “Teknologjia duhet t’i shërbejë mjekut dhe pacientit, jo ta largojë mjekun nga pacienti”.
Ndërkohë, në një mesazh të veçantë drejtuar mjekëve të rinj dhe studentëve, Presidenti i Begaj theksoi rëndësinë e hulumtimit të vazhdueshëm profesional dhe të përkushtimit ndaj pacientit gjatë gjithë karrierës.
“Investimi në formimin tuaj dhe krijimi i mundësive që ju mbajnë të lidhur profesionalisht me Shqipërinë është investimi më i mençur në të ardhmen e shëndetësisë sonë”, tha Begaj.
Në përfundim, Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin e mjekëve, kirurgëve, infermierëve dhe ekipeve të urgjencës në shpëtimin e jetëve.
Begaj e cilësoi Kongresin Shqiptar të Traumës dhe Kirurgjisë së Urgjencës si një platformë të rëndësishme bashkëpunimi.
Në kuadër të aktivitetit, rektori Prof. Dr. Xheladin Draçini u nderua me titullin “Honorary Member of ASTES”, në vlerësim të kontributit dhe bashkëpunimit të tij në fushën e traumës dhe kirurgjisë emergjente.

