Xi bën thirrje për partneritet, jo rivalitet SHBA-Kinë
Është jashtëzakonisht e rrallë që një president amerikan pret personalisht në aeroport një kryetar shteti ose qeverie të huaj, prandaj konsiderohet një shenjë e respektit dhe nderimit të veçantë gjesti i presidentit amerikan. Donald Trump dhe bashkëshortja e tij, Zonja e Parë Melania Trump, përshëndetën Xi Jinpingun dhe bashkëshorten e tij Peng Liyuan, pasi ata zbritën nga avioni. Më pas, Trump dhe Xi, së bashku me bashkëshortet e tyre, ecën mbi tapetin e kuq për të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të mirëseardhjes. Trump dhe Xi qëndruan krah për krah në pistën e aeroportit, ndërsa një orkestër ushtarake interpretoi himnet kombëtare të të dy vendeve.
Xi bën thirrje për partneritet e jo rivalitet mes SHBA e Kinës
Xi zhvillon në SHBA për një vizitë shtetërore treditore. Kjo është vizita e parë e Xi Jinpingut dhe bashkëshortes së tij Peng Liyuan në Uashington pas më shumë se një dekade. Qeveria amerikane e cilëson këtë vizitë si “një moment historik në marrëdhëniet mes dy vendeve”. Pas mbërritjes, Xi u shpreh i hapur për bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara. Ai bëri thirrje për një marrëdhënie të bazuar në “partneritet dhe jo rivalitet” mes dy vendeve, SHBA, Kinë.
Të dyja palët duhet të hapin rrugën e duhur për bashkëjetesën dhe bashkëpunimin mes dy fuqive të mëdha botërore”, tha Xi. “Populli kinez dhe ai amerikan kanë kultivuar prej kohësh marrëdhënie miqësore, ndërsa interesat tona janë të ndërthurura ngushtë me njëri-tjetrin”, theksoi ai, duke shtuar se pret me kënaqësi të diskutojë me homologun e tij amerikan për “çështje të rëndësishme”.
Menjëherë pas mbërritjes së Xi Jinpingut, sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, njoftoi një sukses të parë. Sipas tij, Uashingtoni dhe Pekini ranë dakord të zgjasin me dy muaj, deri më 10 janar, marrëveshjen e përkohshme për grindjen tarifore, e cila ishte parashikuar të skadonte në mesin e nëntorit. Kjo u arrit para fillimit të samitit mes Trumpit dhe Xi-së e pas negociatave intensive të zhvilluara të dielën në Nju Jork.

Inteligjenca Artificiale në fokus të takimit Xi-Trump
Zhvillimi i vrullshëm i inteligjencës artificiale (IA) është gjithashtu në qendër të takimit të nivelit të lartë mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kreut të shtetit kinez Xi Jinping. Për shkak të rreziqeve që lidhen me këtë teknologji, drejtuesit e disa prej kompanive më të rëndësishme të inteligjencës artificiale në SHBA kanë bërë thirrje së fundmi për një ngadalësim të përbashkët të zhvillimit të saj. Rëndësia që i kushtohet inteligjencës artificiale pasqyrohet edhe në listën e të ftuarve në banketin shtetëror për nder të Xi Jinpingut. Në mbrëmje do të marrin pjesë disa nga drejtuesit më të njohur të industrisë së teknologjisë, mes tyre Elon Musk dhe drejtori ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman.
Rreziku që sheh Sam Altman, kreu i Open AI është se “inteligjenca artificiale mund të zhvillohet aq shpejt, saqë asnjë njeri të mos jetë më në gjendje ta ndjekë ose të ndërhyjë, kur kjo të jetë e nevojshme.” Përveç kësaj, drejtori i OpenAI paralajmëron edhe për rrezikun e përqendrimit të pushtetit në duart e vetëm disa kompanive ose shteteve.
Edhe Dario Amodei, drejtuesi i kompanisë së inteligjencës artificiale Anthropic, i sheh këto rreziqe. Ai paralajmëron gjithashtu për mundësinë e keqpërdorimit të teknologjisë nga terroristët, të cilët me ndihmën e inteligjencës artificiale mund të zhvillojnë armë biologjike. “Nëse përdoret në mënyrë të papërgjegjshme, inteligjenca artificiale mund të shndërrohet në një rrezik për mbarë njerëzimin,” paralajmëron më tej Amodei
Megjithatë, një pengesë e madhe për kufizimet ndaj IA nuk janë vetëm rezervat e administratës amerikane, por edhe konkurrenca e ashpër në këtë industri që vlen miliarda dollarë. Megjithatë, mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës mund të krijohet të paktën një kanal i përbashkët komunikimi për çështjet që lidhen me inteligjencën artificiale./DW
Fraksion.com

