AktualitetTë fundit

“Loja është hapur!”, Vlora Hyseni shantazhoi gazetaren, deputeti Shehu: Ka rënë siguria kombëtare dhe besueshmëria e Shqipërisë para NATO-s

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka reaguar në Kuvend lidhur me përplasjen mes ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, dhe gazetares së News24, Klodiana Lala.

Shehu e cilësoi të rëndë mënyrën se si, sipas tij, Hyseni iu drejtua gazetares, duke argumentuar se çështja shkon përtej një përplasjeje me median dhe lidhet me sigurinë kombëtare dhe besueshmërinë e Shqipërisë përballë NATO-s.

Shehu deklaroi se situata është më e gjerë se sa lidhjet e pretenduara me krimin dhe narkotrafikun.

“Hyseni kërcënon gazetarët. Loja është hapur, është më e gjerë se lidhjet me krimin dhe narkotrafikun, ka rënë siguria kombëtare. Ka rënë besueshmëria para NATO-s. Agjenturat të çojnë te krimi dhe e anasjellta”, u shpreh ai.

“Ka një histori të paralajmëruar. Hyseni u mor pasi u shkarkua nga Kosova për rrjedhje informacioni”, tha Shehu.

Më tej, ai e lidhi situatën edhe me marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë dhe raportet me Serbinë, duke përmendur atë që e cilësoi si lidhje Rama-Vuçiç dhe përkeqësim të marrëdhënieve me Kosovën.

Reagimi i Shehut vjen pas një momenti të raportuar nga News24, ku gazetarja Klodiana Lala iu afrua Vlora Hysenit për ta pyetur mbi akuzat që rëndojnë ndaj saj. Sipas raportimit, Hyseni iu përgjigj duke iu referuar takimeve me persona që i cilësoi si “agjentë serbë”.

Pas kësaj, Lala tha në një lidhje live se Hyseni duhet të sqarojë se cilave takime u referohej, duke e cilësuar deklaratën si një akuzë të fortë.

Çështja e Vlora Hysenit është aktualisht në duart e drejtësisë, ndërsa ndaj saj janë ngritur akuza që lidhen me zbulimin e akteve ose të dhënave sekrete dhe përkrahjen e autorit të krimit.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com