Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga vizita e fundit shtetërore e Xi Jinping-ut në SHBA…
Kur lideri kinez Xi Jinping të vizitojë Uashingtonin këtë javë, ai do të ulet përballë Presidentit Donald Trump në një pozicion krejtësisht të ndryshëm nga hera e fundit që të dy burrat u takuan ballë për ballë në Shtetet e Bashkuara, gati një dekadë më parë.
Në atë samit të vitit 2017 në rezidencën “Mar-a-Lago” të Trump-it, Kina ishte prapa Amerikës në shumë fusha dhe e cenueshme ndaj fërkimeve teknologjike e tregtare që Trump do të shkaktonte ndaj saj në vitin pasues.
Tani, Xi vjen në krye të një vendi që ka pësuar transformim.
Ekonomia e dytë më e madhe në botë është shndërruar në një gjigant të teknologjisë. Talentet vendase në fushën e teknologjisë po i shtyjnë modelet kineze të inteligjencës artificiale (AI) gjithnjë e më pranë niveleve të avancuara të “Silicon Valley”-t. Kompanitë hapësinore me bazë në Pekin po lëshojnë dhe ulin raketa të ripërdorshme, duke synuar të sfidojnë liderin global, SpaceX. Kompani që operojnë nga sektori i energjisë te AI, robotika dhe çipat e memories, kanë realizuar hyrje spektakolare në tregun e aksioneve gjatë vitit të kaluar.
Gjiganti kinez i prodhimit regjistroi një suficit tregtar global prej 1.2 trilionë dollarësh vitin e kaluar, pjesërisht për shkak të kërkesës në rritje për automjetet elektrike, panelet diellore dhe çipat e prodhuar në Kinë. Kontrolli i saj mbi zinxhirët e furnizimit për disa produkte eksporti – veçanërisht metalet e rralla – i ka dhënë Pekinit një avantazh të veçantë ndaj Uashingtonit dhe luftës tregtare të Trump-it, të bazuar në parimin “Amerika e para”.
Dhe në një moment kur SHBA-ja po krijon tensione me aleatët dhe ende nuk ka gjetur një mënyrë për t’i dhënë fund konfliktit me Iranin – i cili po destabilizon ekonominë globale – Xi po e forcon imazhin e Kinës si një lider global i përgjegjshëm dhe i besueshëm.
Në qarqet vendimmarrëse të Pekinit ekziston një konsensus: kanë kaluar kohët kur SHBA-ja mund t’i drejtonte Kinës kërkesa të njëanshme.
“Kina është shumë më e sigurt në vetvete sesa nëntë vite më parë dhe, çka është edhe më e rëndësishme, sot Kina ka gjetur një mënyrë efektive për ta mbajtur SHBA-në nën kontroll,” tha Wu Xinbo, dekan i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare në Universitetin Fudan të Shangait, i cili këshillon qeverinë për politikën e jashtme.
“Uashingtoni duhet ta trajtojë Pekinin me më shumë barazi e respekt dhe kjo marrëdhënie duhet të jetë gjithnjë e më reciproke.”
Kjo nuk do të thotë se rëndësia e kësaj vizite është e vogël për Xi-në, ndërsa ai mbërrin në Uashington për një qëndrim të parashikuar prej tri ditësh. Udhëheqësi kinez po mbështetet te transformimi i Kinës në fushën e teknologjisë së lartë për t’i dhënë vrull një ekonomie që po ngadalësohet. Ruajtja e një “qëndrueshmërie strategjike konstruktive” – një synim për të cilin të dyja palët ranë dakord gjatë një takimi në Pekin në muajin maj – mund të ndihmojë që fërkimet apo konflikti me SHBA-në të mos bëhen pengesë.
Megjithatë, i inkurajuar nga ndikimi në rritje i Kinës në arenën globale dhe atë teknologjike, Xi do t’i paraqesë SHBA-së gjithashtu një realitet të ri: ndonëse Pekini dëshiron një marrëdhënie të qëndrueshme me SHBA-në, ngritja e tij nuk varet prej saj.
Në një editorial të vendosur të botuar të mërkurën në “People’s Daily” – organin zyrtar të Partisë – i cili pasqyron këtë besim, ambasadori kinez në SHBA paralajmëroi se Tajvani dhe të drejtat e njeriut janë “vija të kuqe” për Pekinin, të cilat nuk mund të kalohen.
“Sovraniteti, siguria dhe interesat e zhvillimit të Kinës nuk duhet të cenohen. Katër vijat e kuqe që lidhen me çështjen e Tajvanit, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, sistemin politik dhe rrugën e zhvillimit të Kinës, si dhe të drejtën e saj për zhvillim, nuk duhet të vihen në dyshim,” shkroi Xie Feng.
Një shtet i vetëmjaftueshëm
Për Xi-në, një burim kyç i këtij besimi ka qenë aftësia e Kinës për të diversifikuar tregtinë larg tregut amerikan dhe për të ndërtuar vetëmjaftueshmërinë e saj teknologjike – dy objektiva që u forcuan si pasojë e presioneve ndaj Kinës gjatë administratës së parë të Trumpit.
Pekini ka kanalizuar fonde të mëdha dhe vullnet politik drejt zhvillimit të teknologjisë së vet në sektorë të avancuar – si robotika, inteligjenca artificiale (IA), bioteknologjia, sektori hapësinor, energjia e re dhe çipat – si dhe drejt zbatimit të kësaj teknologjie në industri.
Megjithatë, frytet e kësaj rritjeje nuk janë shpërndarë në mënyrë të barabartë. Muajin e kaluar, papunësia te të rinjtë arriti një nivel rekord për periudhën e fundit. Qindra miliona punonjës varen nga e ashtuquajtura “gig economy” (ekonomia e punëve të rastit apo të pavarura), siç janë shpërndarja e ushqimit apo ofrimi i shërbimeve të transportit me automjete private, për të siguruar të ardhurat e tyre kryesore. Konsumi mbetet i ulët, qeveritë vendore përballen me vështirësi për shkak të borxheve dhe kriza e madhe në sektorin e pasurive të paluajtshme vazhdon të jetë prezente.
Njerëz nga të gjitha shtresat e shoqërisë në Kinë do t’ju thonë hapur se ekonomia nuk po ecën aq mirë sa më parë. Por, krahas kësaj, shpesh ndihet krenari që vendi ka arritur të ngrihet si një fuqi teknologjike, madje edhe përballë kufizimeve të vendosura nga SHBA-ja.
Mjafton të shohim rastin e Huawei-t, gjigantit kinez të teknologjisë që u fut në listën e zezë nga administrata e parë e Trump-it. Ditët e fundit, vlogerët kinezë të teknologjisë kanë postuar me entuziazëm video rreth lançimit shumë të përfolur të telefonit të parë të palosshëm të Apple-it. Ata theksojnë se modeli i palosshëm i Huawei-t doli në treg shtatë vite më parë.
Pak ditë para vizitës së Xi-së në SHBA, Huawei njoftoi gjithashtu se gjenerata e ardhshme e çipave të tij “Ascend AI” do të dilte në treg para afatit të planifikuar vitin e ardhshëm, duke sinjalizuar përparim në atë që ka qenë një pengesë kritike për Kinën në zhvillimin e inteligjencës artificiale.
“Ne nuk mund ta pranojmë një fat ku nuk e kontrollojmë vetë të ardhmen tonë, por ajo përcaktohet nga të tjerët në varësi të gatishmërisë së tyre për të shitur apo jo çipa në Kinë,” deklaroi në fillim të këtij muaji Eric Xu, kryetari me rotacion i Huawei-t.
Dhe ndërsa publiku amerikan është kryesisht pesimist për zhvillimin e inteligjencës artificiale, bashkëmoshatarët e tyre në Kinë janë më të përqendruar te ndikimi që ajo mund të ketë në jetën e tyre të përditshme. Humbja e vendeve të punës është një shqetësim, por ekziston gjithashtu ndjesia se kjo është një mundësi që duhet shfrytëzuar – dhe se Partia Komuniste në pushtet, me kontrollin e saj të rreptë mbi shoqërinë, nuk do të lejojë që teknologjia të dalë jashtë kontrollit.
“Forca të barabarta”
Xi po shkon në SHBA në mes të një debati të gjerë mbi rreziqet e inteligjencës artificiale, përfshirë ato që lidhen me modelet kineze. Trump ka deklaruar se vendi nuk mund ta ngadalësojë zhvillimin për hir të sigurisë, sepse duhet të përqendrohet te tejkalimi i Kinës. Kjo e vë theksin te një synim kyç i Xi-t dhe delegacionit të tij: të bindin SHBA-në që të mos vendosë kufizime të mëtejshme teknologjike, të cilat mund të kufizonin edhe më shumë aksesin e kompanive kineze në teknologjinë ose tregjet amerikane.
Kina dëshiron të shohë “më shumë parashikueshmëri në marrëdhëniet ekonomike dhe teknologjike” dhe një “angazhim më të fortë politik për të parandaluar që çështjet e ndjeshme — veçanërisht Tajvani dhe kufizimet teknologjike — të destabilizojnë marrëdhënien e përgjithshme”, sipas Sun Chenghao, studiues i lartë në Qendrën për Siguri dhe Strategji Ndërkombëtare të Universitetit Tsinghua në Pekin.
Por këtu hyn në lojë edhe ndryshimi i balancës së fuqisë midis Kinës dhe SHBA-së.
Të dyja palët e dinë se kufizimet e reja – nëse shihen nga Pekini si tepër agresive – mund të rindezin konfliktin që i çoi ekonomitë e tyre në prag të shkëputjes së plotë vitin e kaluar.
Armëpushimi që i dha fund atij raundi të luftës tregtare u arrit vetëm pasi Pekini kërcënoi me një zgjerim masiv të kontrolleve të eksportit për metalet e rralla me rëndësi strategjike, si përgjigje ndaj një lëvizjeje të SHBA-së që do të kishte rritur ndjeshëm numrin e kompanive kineze në listën e zezë.
Ai armëpushim ka gjasa të zgjatet këtë javë – dhe të dyja palët do të tregohen të kujdesshme që të mos e shtyjnë palën tjetër shumë larg në një situatë ku “askush nuk fiton, sepse forcat janë të barabarta”, sipas Kurt Tong, partner menaxhues në firmën këshilluese “The Asia Group”.
“Në sferën ekonomike, nuk ka vërtet ndonjë lojtar superior… për shkak të aspekteve të barabarta të fuqisë ndikuese, të dyja palët po tërhiqen nga veprime që u kushtojnë shtrenjtë për t’u zbatuar,” tha Tong, i cili më parë ka shërbyer si konsull i përgjithshëm i SHBA-së në Hong Kong.
Tani, Trump “e sheh Xi Jinping-un si një homolog, e jo si dikë që duhet detyruar me forcë të dorëzohet,” tha ai.
Bota e Xi-t
Kina tani shihet në një dritë më pozitive sesa SHBA-ja në shumicën e 36 vendeve të anketuara në një sondazh të ri të “Pew Research”, të publikuar në korrik. Xi madje e kaloi Trump-in në fitimin e besimit të njerëzve, zbuluan autorët e sondazhit.
Këto ndryshime nuk vijnë vetëm krahas një riformatimi të rolit të SHBA-së në skenën globale, por edhe si pasojë e ndryshimit në aftësinë e Kinës për të ushtruar “fuqi të butë” (soft power). Njerëzit në mbarë botën po përdorin modele kineze të inteligjencës artificiale për bizneset e tyre dhe po drejtojnë automjete elektrike kineze. Produkte kulturore që janë bërë virale, si lodra prej pelushi “Labubu” dhe serialet kineze, si dhe trendi online “Chinamaxxing”, kanë nxitur interesin dhe turizmin drejt Kinës.
Gjatë javëve të fundit, Xi ka ndërmarrë një seri të rrallë udhëtimesh diplomatike jashtë vendit, duke promovuar vizionin e tij për lidershipin dhe këndvështrimin botëror të Kinës. Në një samit të grupit BRICS (që përfshin ekonomitë në zhvillim) të mbajtur në Nju Delhi në fillim të këtij muaji, ai u zotua se do t’i ndihmonte shtetet anëtare të krijonin fabrika të avancuara (“të zgjuara”) dhe të zhvillonin modele të inteligjencës artificiale. Gjatë një vizite shtetërore në Egjipt në fillim të këtij muaji, Xi prezantoi propozime për një “arkitekturë të re sigurie” në Lindjen e Mesme – një arkitekturë që nuk do të varej nga “çadra” e sigurisë së SHBA-së. Gjithashtu, një sërë liderësh kanë vizituar Pekinin gjatë këtij viti.
Ndërkohë, gjatë javëve të fundit, Shtëpia e Bardhë ka kërkuar t’ua hedhë fajin për luftën e vazhdueshme në Iran vendeve që vijojnë të bëjnë biznes me qeverinë e tij, duke u zotuar se do t’i detyrojë ato të ndalojnë këtë praktikë ose të përballen me sanksione të rënda. Si partneri më i madh tregtar i Iranit, Kina kryeson këtë listë.
Por ky është gjithashtu një shembull se si statusi në rritje – dhe ndikimi – i Kinës mund të luajë rol në bisedimet e ardhshme.
Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, u takua javën e kaluar në Pekin me homologun e tij iranian, Abbas Araghchi. Sipas Wu-së, këshilltarit për politika, bisedimet kishin për qëllim, pjesërisht, “të sqaronin disa çështje, në mënyrë që dy liderët të mund të zhvillonin një diskutim më thelbësor për këtë temë kur të takohen në Uashington”. Kjo i jep Pekinit mundësinë të sinjalizojë se çdo veprim për të ndëshkuar kompanitë e tij do të bënte që Uashingtoni të humbiste çdo mundësi për të përfituar nga aftësia e Kinës për të komunikuar me të dyja palët.
“Kina do t’u thotë dy gjëra SHBA-së,” tha Wu. “E para: mos u përpiqni të vendosni sanksione ndaj bankave apo kompanive kineze për shkak të biznesit me Iranin… dhe e dyta: harrojini zgjidhjet ushtarake apo sanksionet ekonomike (si mënyrë për t’i dhënë fund konfliktit); duhet të uleni në tryezën e negociatave për të arritur një marrëveshje paqeje të arsyeshme.”
Fraksion.com

