Shqipëria nënshkruan Marrëveshjet Artemis në selinë e NASA-s
Shqipëria është bërë pjesë e komunitetit ndërkombëtar të angazhuar për eksplorimin paqësor, transparent dhe të përgjegjshëm të hapësirës, pas nënshkrimit të Marrëveshjeve Artemis nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.
Ceremonia u zhvillua në selinë qendrore të NASA-s në Uashington, në prani të zëvendësadministratorit të NASA-s, Matt Anderson, dhe zëvendësndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Hapësirën dhe Mjedisin, Connor Tomlinson.
Ministri Hoxha e cilësoi këtë një tjetër ditë krenarie për Shqipërinë dhe një hap të rëndësishëm drejt së ardhmes.
“Për Shqipërinë, ky moment është më shumë se një nënshkrim. Është një shprehje besimi te shkenca, inovacioni dhe bashkëpunimi ndërkombëtar”, deklaroi Hoxha.
Ai theksoi se marrëveshja krijon mundësi të reja për brezin e ri, duke e lidhur Shqipërinë më ngushtë me teknologjitë, njohuritë dhe partneritetet që po formësojnë të ardhmen.
Sipas ministrit, ky zhvillim i shton një dimension të ri dhe të rëndësishëm partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
“Ky partneritet pasqyron angazhimin tonë të përbashkët për inovacionin, progresin dhe bashkëpunimin në kufij të rinj”, u shpreh ai.
Marrëveshjet Artemis synojnë të promovojnë eksplorimin paqësor, transparent dhe të qëndrueshëm të hapësirës, si dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në përfitim të gjithë njerëzimit.
“Shqipëria është gati të kontribuojë dhe të arrijë shumë më tej”, përfundoi Hoxha.
Fraksion.com

