AktualitetBota+Të fundit

Automobilët elektrikë: Ku nevojiten stacionet e karikimit?

Suksesi i elektromobilitetit nuk varet vetëm nga automjetet, por edhe nga infrastruktura e karikimit. Për shumë vite motoja ishte: sa më shumë stacione karikimi, aq më mirë. Por a vlen ende kjo logjikë?

Kërkesa  për automjete elektrike në Gjermani po rritet ndjeshëm . Kjo vihet re jo vetëm në tregun e automjeteve të përdorura, por gjithnjë e më shumë edhe te regjistrimet e automjeteve të reja. Sipas të dhënave të Autoritetit Federal të Transportit Rrugor (KBA), në korrik 2026 automjetet me motorë me djegie të brendshme përbënin vetëm 30,7 për qind të të gjitha automjeteve të reja të regjistruara. Ndërkohë, 29,3 për qind ishin automjete plotësisht elektrike.

Nëse llogariten edhe automjetet hibride plug-in, pjesa e automjeteve të reja me sistem elektrik arrin në 40,7 për qind. Pjesa e mbetur prej 28,6 për qind përfshin automjete me gaz ose hidrogjen, si dhe hibride të plota, të cilat e karikojnë baterinë vetëm gjatë ecjes me ndihmën e motorit me djegie dhe nuk kanë prizë të jashtme karikimi. Kjo do të thotë se automjetet elektrike po fitojnë vazhdimisht terren në treg, ndërsa benzina dhe nafta po humbasin rëndësi.

Vendndodhja po bëhet vendimtare

Për vite me radhë mungesa e stacioneve të karikimit konsiderohej pengesa kryesore për përhapjen e automjeteve elektrike. Për këtë arsye, qeveria federale, landet dhe komunat duan të vazhdojnë zgjerimin e rrjetit të karikimit.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se planet aktuale nuk marrin mjaftueshëm parasysh zhvillimin teknologjik të automjeteve dhe të vetë infrastrukturës së karikimit.

Sipas tyre, nuk është domosdoshmërisht e nevojshme që deri në vitin 2030 të ndërtohen një milion  pika publike karikimi në të gjithë Gjermaninë , siç parashikohet në planet kombëtare të qeverive të fundit. Rrjeti nuk duhet të zgjerohet automatikisht në të njëjtin ritëm me rritjen e numrit të automjeteve elektrike. Më e rëndësishme është të përcaktohet se çfarë kapaciteti karikimi nevojitet realisht dhe në cilat vende.

Pikat e karikimit të shpejtë përdoren më shumë

Ky ndryshim shihet qartë te përdorimi i stacioneve ekzistuese. Stacionet e karikimit në zonat urbane, të cilat zakonisht përdorin rrymë alternative (AC) dhe karikojnë më ngadalë, përdoren mesatarisht vetëm rreth 0,6 herë në ditë.

Ndërkohë, pikat e karikimit të shpejtë, të njohura si DC ose HPC, regjistrojnë më shumë se 2,5 sesione karikimi në ditë. Shkurtesa HPC vjen nga “High Power Charging” dhe i referohet sistemeve të fuqishme të karikimit me rrymë të drejtë.

Dallimi shpjegohet nga mënyra se si përdoren këto sisteme. Karikimi AC është më i përshtatshëm kur automjeti qëndron i parkuar për një kohë të gjatë, për shembull gjatë natës, gjatë orarit të punës ose në parkingje afatgjata. Karikuesit e shpejtë kanë një funksion tjetër: ata lejojnë furnizimin e automjetit me një sasi të madhe energjie brenda një kohe relativisht të shkurtër.

Autobus elektrik i Kölner Verkehrsbetriebe AG (KVB) në një stacion karikimi - autobusi i parkuar
Autobus elektrik në një stacion karikimiFotografi: picture-alliance/dpa/R. Goldmann

A janë të tepërta disa stacione publike?

Kjo po ndryshon edhe mënyrën se si shihet nevoja për infrastrukturë të re. Një zgjerim i rrjetit sipas një raporti të caktuar mes numrit të automjeteve dhe numrit të stacioneve nuk pasqyron gjithmonë mënyrën reale të përdorimit të automjeteve elektrike.

Kompania Cirrantic grumbullon të dhëna nga operatorët e stacioneve të karikimit dhe ua vë ato në dispozicion prodhuesve të automjeteve si dhe aplikacioneve të navigimit.

Këto aplikacione u tregojnë drejtuesve të automjeteve elektrike se ku ndodhen stacionet e karikimit, nëse janë të lira për përdorim dhe sa kushton karikimi.

Çmimi dhe përdorimi do të kenë gjithnjë e më shumë rëndësi

Edhe nga pikëpamja ekonomike, tregu po hyn në një fazë konsolidimi. Statistikat e përgatitura nga Cirrantic për emisionin “Plusminus” tregojnë se karikimi publik AC kushton mesatarisht rreth 58 cent për kilovat-orë. Për karikimin e shpejtë çmimi mesatar është rreth 62 cent për kilovat-orë.

Diferenca e çmimit mes karikimit të ngadaltë dhe atij të shpejtë është, pra, relativisht e vogël. Për zhvillimin e ardhshëm të tregut kjo do të thotë se pyetja vendimtare nuk është më vetëm sa shpejt ndërtohen pika të reja karikimi. Më e rëndësishme do të jetë nëse infrastruktura është vendosur në vendin e duhur, nëse përdoret mjaftueshëm, funksionon në mënyrë të besueshme dhe ofron çmime transparente për konsumatorët.

Gjermania po kalon kështu nga faza e ndërtimit në fazën e optimizimit. Në të ardhmen infrastruktura nuk duhet të zgjerohet vetëm në aspektin sasior, por të planifikohet dhe të menaxhohet sipas nevojave reale. Suksesi i elektromobilitetit nuk do të matet më kryesisht nga numri i stacioneve të karikimit, por nga cilësia e të gjithë sistemit: energjia e disponueshme në kohën e duhur dhe në vendin e duhur./DW

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com