Katër vatra aktive dhe katër në monitorim, në terren 432 forca operacionale
Ministria e Mbrojtjes informoi sot mbi situatën e zjarreve gjatë 24 orëve të fundit deri në orën 09:00.
Sipas MM-së, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 27 vatra zjarri, prej të cilave 4 mbeten aktive dhe 4 janë nën mbikëqyrje.
Për përballimin e situatës janë angazhuar në total 432 forca operacionale dhe 43 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 70 forca ushtarake dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore.
Për ditën e sotme parashikohet angazhimi i 90 forcave ushtarake në bashkitë Bulqizë, Mat dhe Tiranë.
Vatrat aktive janë:
Dajt, Tiranë – vijojnë vatra aktive në drejtim të Qafë-Priskës. Ditën e djeshme u angazhuan 15 zjarrfikës, 9 forca të ADZM-së, 20 ushtarakë dhe 1 helikopter. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Vajkal, Bulqizë – zjarr aktiv në një sipërfaqe të gjerë me shkurre dhe dëllinja, në terren shkëmbor. U angazhuan 11 forca MZSH, 5 pyjore, 7 vullnetarë dhe 30 ushtarakë.
Lundre, Mat – vijon zjarri në një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore; u angazhuan 40 forca MZSH/pyjore, 20 ushtarakë dhe 1 helikopter.
Ura e Shtrenjtë, Shkodër – vatër aktive në terren të thepisur; po punohet për izolimin dhe parandalimin e përhapjes.
Nën mbikëqyrje vijojnë vatrat në Qafën e Helmës (Bulqizë), Qafën e Lugut (Korçë), malin e Qukësit (Prrenjas) dhe Zhejë (Kurbin). Në të gjitha rastet e mësipërme nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
Fraksion.com

