Ishte i arrestuar për vjedhje: 32-vjeçari pëson arrest kardiak në komisariat, humb jetën në spitalin e Vlorës
Sipas informacionit paraprak, rreth orës 09:50, 32-vjeçari është konstatuar në gjendje të rënduar shëndetësore në dhomat e shoqërimit, ku mbahej i arrestuar. Menjëherë është njoftuar shërbimi mjekësor dhe i riu është transportuar drejt Spitalit Rajonal të Vlorës.
Në orën 10:05, mjekët kanë konfirmuar humbjen e jetës. Paraprakisht dyshohet se 32-vjeçari ka ndërruar jetë si pasojë e një arresti kardiak, ndërsa pritet që ekspertiza mjeko-ligjore të përcaktojë shkaqet e sakta të vdekjes.
Enea Shparthi ndodhej në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Vlorës, pasi ishte arrestuar në flagrancë dhe, sipas procedurës, pritej që brenda afatit ligjor prej 72 orësh të dilte përpara Gjykatës së Vlorës për t’u njohur me masën e sigurimit.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të dokumentuar ligjërisht rastin.
“Vlorë/Informacion paraprak
Sot rreth orës 09:50, në ambientet e dhomave të shoqërimit të Komisariatit të Policisë Vlorë, është konstatuar në gjendje të rënduar shëndetësore shtetasi i arrestuar E. Sh., 32 vjeç, banues në Vlorë.
Menjëherë është njoftuar shërbimi mjekësor dhe 32-vjeçari është transportuar në Spitalin Rajonal Vlorë, ku, në orën 10:05, mjekët kanë konfirmuar se ky shtetas ka humbur jetën.
Paraprakisht dyshohet se 32-vjeçari ka ndërruar jetë si pasojë e arrestit kardiak.
Shtetasi E. Sh. ishte arrestuar në flagrancë më datë 29.08.2026, rreth orës 23:00, për veprën penale “Vjedhja”.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit”, njofton policia.
Fraksion.com

