AktualitetPolitikëTë fundit

“Greqia ul çmimet, qeveria shqiptare 0 reagim”, Berisha: Të hiqet urgjentisht TVSH për ushqimet! Rama jeton në kullën e fildishtë të pushtetit, nuk ka prioritet qytetarët

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me rritjen e çmimeve në Shqipëri, duke e krahasuar situatën me masat e ndërmarra nga Greqia për të lehtësuar konsumatorët. Berisha kërkoi heqjen e menjëhershme të TVSH-së për ushqimet dhe masa të tjera sociale për familjet shqiptare.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha tha se qeveria greke ka ndërmarrë një nismë për uljen e çmimeve të më shumë se 1,600 produkteve, me zbritje që variojnë nga 5 deri në 30 për qind.

Sipas tij, masat në Greqi përfshijnë produkte bazë ushqimore, artikuj me konsum të gjerë familjar, si dhe mjete shkollore për fëmijët, ndërsa theksoi se këto ndërhyrje po ndërmerren edhe pse qytetarët grekë kanë të ardhura dukshëm më të larta se shqiptarët.

“Greqia ka vendosur të ulë me 5-30% koston e çmimeve të 1600 artikujve, ushqimeve bazë, të të gjitha mjeteve shkollore për fëmijët, të produkteve me konsumim të gjerë nga konsumatorët në shtëpi”, deklaroi Berisha.

Ai e krahasoi këtë politikë me situatën në Shqipëri, ku, sipas të dhënave të fundit të Eurostat, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike janë rritur me ritme më të larta se në Bashkimin Europian.

Berisha akuzoi qeverinë shqiptare për mungesë reagimi dhe ndërhyrjeje përballë rritjes së kostos së jetesës.

“Ndërkohë çmimet në Shqipëri, sipas statistikave më të fundit, u rritën këtë vit 5 herë më shumë se mesatarja e vendeve të BE. Qeveria ka zero reagim”, u shpreh ai.

Kreu i PD-së e cilësoi situatën si alarmante, duke pretenduar se një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve shqiptarë përballen me vështirësi për të përballuar shpenzimet bazë.

“Janë kambana të trishta alarmi që bien në këtë vend. Indiferenca e Ramës dhe qeverisë së tij ndaj kësaj situate tejkalon qëndrimet më çnjerëzore”, deklaroi Berisha.

Në vijim të deklaratës, Berisha renditi disa nga masat që Partia Demokratike i konsideron të domosdoshme për lehtësimin e familjeve shqiptare. Sipas tij, prioritet duhet të jetë heqja e menjëhershme e TVSH-së për ushqimet, subvencionimi i plotë i shpenzimeve për shkollën dhe vendosja e minimumit jetik.

“Për PD-në është jetike heqja e menjëhershme e TVSH-së për ushqimet. Subvencionimi i plotë i të gjitha shpenzimeve për shkollën, bazuar në arsimin falas. Vendosja e menjëhershme e minimumit jetik”, tha ai.

Berisha argumentoi se këto masa do të ndihmonin familjet shqiptare përballë kostos së lartë të jetesës dhe rritjes së çmimeve të produkteve bazë. Në fund të deklaratës, lideri demokrat e ashpërsoi gjuhën ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar këtë të fundit se është shkëputur nga problemet e qytetarëve.

“Narkoqeveria ofroi ‘Besën’ e tani ‘Pasqyrën’, duke treguar se nuk jeton në realitet. Por në kullën e fildishtë të pushtetit ka interes vetëm pasurimin e saj”, deklaroi Berisha.

 

Fraksion.com

 

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com