Kushneri bisedon me Netanjahun për planin e paqes

Pas takimit me Netanjahun u tha se bisedimet kishin qenë shumë produktive, por sipas raportimeve të agjencive të lajmeve nuk u vu re ndonjë përparim vendimtar.
Sipas mediave në takim mori pjesë edhe Përfaqësuesi i Lartë i “Këshillit të Paqes”, Nikolaj Mladenov.
Mosmarrëveshje mbi planin për Gazën
Netanjahu kishte deklaruar rreth një javë më parë se Izraeli e kundërshton planin e të ashtuquajturit Këshill i Paqes (“Board of Peace”) për Rripin e Gazës, që është dëmtuar rëndë nga lufta. Sipas tij “Ushtria izraelite nuk do të kryejë asnjë tërheqje derisa Hamasi të çarmatoset”. Kryeministri izraelit gjithashtu rikonfirmoi kundërshtimin e tij ndaj krijimit të një shteti të pavarur palestinez.

Edhe në takimin me Kushnerin Netanjahu bëri të qartë se ushtria izraelite nuk do të tërhiqet nga vija e demarkacionit e përcaktuar në tetor. Po ashtu ushtria do të vazhdojë të veprojë në Rripin e Gazës si ta gjykojë vetë të nevojshme, citoi agjencia Reuters një burim izraelit.
Çfarë parashikon plani?
Sipas planit të të ashtuquajturit “Këshill i Paqes”, i cili është krijuar me nismën e Donald Trumpit, Izraeli, Hamasi dhe grupet e tjera të armatosura palestineze në Rripin e Gazës duhet të ndërpresin luftimet.
Më pas, sipas planit, kontrollin e administratës dhe të sigurisë në Gazë do ta marrë një administratë e përkohshme palestineze, e mbështetur nga një forcë ndërkombëtare stabilizimi, e cila do të jetë autoriteti i vetëm përgjegjës për qeverisjen dhe sigurinë në territor.

Armët e dorëzuara nga Hamasi do të depozitohen dhe do të mbeten ekskluzivisht nën kontrollin palestinez. Procesi parashikohet të mbikëqyret nga bashksia ndërkombëtare dhe të zbatohet gradualisht. Paralelisht me këtë proces është planifikuar edhe një tërheqje e ushtrisë izraelite.
Por Izraeli kërkon largimin e plotë të armëve nga Rripi i Gazës, pasi ka frikë se përndryshe ato në të ardhmen mund të bien sërish në duart e Hamasit. Në fund të korrikut Trumpi kishte njoftuar se “Këshilli i Paqes” kishte arritur një marrëveshje me Hamasin për çarmatimin e tij.
Sipas Reuters gjatë takimit në Jerusalem kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe Jared Kushner ranë dakord që rindërtimi i Rripit të Gazës të fillojë vetëm pasi Hamasi të jetë çarmatosur plotësisht./DW
Fraksion.com

