Rrezikuan të mbyteshin në plazhin e Velipojës, shpëtohen 2 pushues
Dy turistë rrezikuan të mbyteshin në det sot në 9 gusht, ndërsa ndodheshin në plazhin e Velipojës.
Ngjarja u konstatua gjatë monitorimit të vijës bregdetare nga shërbimet e Policisë Kufitare të Shkodrës. Punonjësit e Policisë vunë re dy shtetasit në vështirësi në ujë dhe ndërhynë menjëherë për t’u ardhur në ndihmë.
Për shpëtimin e tyre u përdorën mjetet lundruese Jet Ski. Falë reagimit të shpejtë të shërbimeve policore, të dy personat u nxorën në mënyrë të sigurt nga deti. Bëhet fjalë për një 67-vjeçar, banues në Burrel, dhe një 41-vjeçar, banues në Velipojë.
Njoftimi
Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër
Monitorim intensiv i zonave bregdetare me dronë dhe mjete lundruese, nga shërbimet e DVKM Shkodër, për garantimin e sigurisë së pushuesve. Gjatë monitorimit, punonjësit e Policisë kanë konstatuar 2 shtetas që rrezikonin të mbyteshin në det, në plazhin e Velipojës.
Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë Kufitare, me mjete lundruese Jet Ski, bëri të mundur shpëtimin e 2 shtetasve, M. P., 67 vjeç, banues në Burrel, dhe Z. N., 41 vjeç, banues në Velipojë, të cilët rrezikonin të mbyteshin në det. Shërbimet e Policisë Kufitare vijojnë monitorimin intensiv të vijës bregdetare dhe janë në gatishmëri të plotë, në çdo kohë, për t’u ardhur në ndihmë pushuesve dhe për të garantuar sigurinë e tyre.
Policia e Shtetit fton qytetarët që, në rast nevoje apo konstatimi të situatave që mund të cenojnë sigurinë e pushuesve, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe në përputhje me ligjin.
Fraksion.com

