AktualitetPolitikëTë fundit

Revolta në ditën 71 kundër kryeministrit! Qytetarët kërkojnë largimin e Ramës

Protesta qytetare kundër qeverisë dhe klasës politike vijon edhe sot, duke hyrë në ditën e 71-të.

Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

Protesta, e cila nisi fillimisht kundër projektit për ndërtimin e një resorti turistik në Zvërnec, është zgjeruar me kërkesa

Qytetarët u mblodhën sërish në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më tej përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” drejt godinës së Kryeministrisë, duke përsëritur thirrjet për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë.

Me pankarta dhe flamuj kombëtarë, pjesëmarrësit kërkuan shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, rishikimin e ligjit zgjedhor, si dhe largimin e asaj që e cilësuan “kastë e vjetër politike”.

Një qytetar tha nga protesta se gjendja ekonomike dhe sociale është shumë e vështirë dhe se të rinjtë nuk kanë asnjë mbështetje.

“13 vitet e fundit morëm dishesën me 200 km/orë. E mbyllëm aktivitetin. Shkuam në falimentin me këtë qeveri, që e ka mbytur paraja e pisët. Vajza është kthyer në Vlorë, por është jashtë mase e dëshpëruar”, tha ai.

Një i ri, nga protesta u ndal te drejtimi i Partisë Demokratike dhe faktit që Sali Berisha, si mjek i njohur nuk ka ngritur asnjëherë problemet e shëndetësisë në vend.

“Nuk ka skaner, ambulanca dhe ilaçe. Në spitalet rajonale dhe qendrore, ka problematika të mëdha. Që në hyrjen e spitalit, parkon makinën do paguash, fillon korrupsioni që tek dera e spitalit”, tha ai.

Në fjalimet e mbajtura para Kryeministrisë, organizatorët dhe pjesëmarrësit ritheksuan kërkesat e tyre për krijimin e një qeverie tranzitore, ndërmarrjen e ndryshimeve kushtetuese, si dhe shfuqizimin e ligjeve për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com