Nufi: Zjarri në Krujë nën kontroll, nuk ka asnjë jetë të cenuar dhe banesë të djegur
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi bëri të ditur sot se zjarri i rënë mbrëmjen e djeshme në Krujë u vu plotësisht nën kontroll.
Në një postim në rrjetet sociale Nufi tha se që prej orës 06:00 të mëngjesit, është vendosur plotësisht nën kontroll, falë angazhimit të koordinuar të të gjitha strukturave operacionale.
Sipas tij, një pjesë e mbetur në majë të malit po menaxhohet nga ajri me mbështetjen e dy helikopterëve të Forcës Ajrore.
“Situata është krejtësisht e qetë dhe fatmirësisht një katastrofë e mundshme u parandalua falë angazhimit në terren të mbi 200 efektivëve zjarrfikës dhe mbi 200 efektivë të Forcave të Armatosura – të cilët kanë punuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës në të gjithë perimetrin e zonës së prekur”, theksoi Nufi.
Nufi informoi se pjesa më e madhe e këtyre forcave tashmë janë rishpërndarë.
“Vetëm një godinë rezulton e shkrumbuar nga zjarri (magazinë e një biznesi). Fatmirësisht, nuk ka asnjë jetë të cenuar dhe asnjë banesë të djegur”, shtoi ai.
Ministri Nufi falënderoi forcat operacionale që morën pjesë në aksionin për fikjen e zjarrit në Krujë.
“Falënderim dhe mirënjohje pa kufij për përshkushtimin dhe sakrificën e veçantë të secilit prej efektivëve të forcave operacionale që luftuan në mënyrë të paepur për shuarjen e zjarrit masiv në Malin e Krujës”, tha Nufi.
Fraksion.com

