AktualitetTë fundit

Arrestohet personi që vuri zjarrin në Krujë

Teksa vijon operacioni për përballimin e situatës së krijuar nga flakët në Krujë, Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, bëri me dije se është arrestuar personi i dyshuar për zjarrvënien.

Gjithashtu, për arrestimin e këtij personi ka reaguar dhe Policia e Shtetit përmes një njoftimi zyrtar. Bëhet fjalë për një 73-vjeçar me inicialet Q. B., banues në lagjen “Abaze”. Ai dyshohet seka ndezur zjarr pranë banesës së tij për të djegur një sasi bari. Flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe, të favorizuara nga era, janë përhapur në drejtim të malit të Krujës, duke rrezikuar zonat e banuara.

Ndezi zjarr për djegien e barit pranë banesës së tij, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën në drejtim të malit të Krujës, reagimi në kohë i Policisë çoi në identifikimin dhe arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar të zjarrvënies.

Falë angazhimit të forcave në terren, vijon operacioni për shuarjen e zjarrit, ku po ndërhyhet me forca tokësore dhe me mbështetje nga ajri, me qëllim izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon për kujdes maksimal nga qytetarët, duke i ftuar të mos ndërmarrin veprime që mund të shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin.

Gjithashtu, fton qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin 112, duke u garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm“, njoftojnë blutë.

Për shkak të situatës, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me strukturat e emergjencave, kanë marrë masa për evakuimin e pjesshëm të banorëve që ndodheshin pranë vatrës së zjarrit, me qëllim garantimin e sigurisë së tyre.

Ndërkohë, vijon operacioni për shuarjen e flakëve, me ndërhyrje nga toka dhe mbështetje nga ajri, për izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit drejt zonave të banuara.

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com