AktualitetPolitikëTë fundit

Protestuesja kujton eksodin e 7 gushtit me anijen Vlora: Nuk duam më të ikim, Shqipëria është e jona!

Një protestuese, gjatë tubimit para Kryeministrisë, kujtoi eksodin e 7 gushtit 1991 me anijen “Vlora”, duke e lidhur atë me situatën e sotme dhe mesazhin e protestës.

Ajo tha se kjo datë mbetet simbol i largimit masiv të shqiptarëve, ndërsa theksoi se sot qytetarët janë mbledhur në shesh me një mesazh krejt tjetër.

“Sot është 7 gushti, që përkon me nisjen e 20 mijë shqiptarëve me anijen ‘Vlora’ nga porti i Durrësit. Ata ikën me një anije që kishte shkuar për të çuar dhe marrë sheqer. Në një farë mënyre, ajo anije u mor peng nga shqiptarët”, u shpreh ajo. Sipas protestueses, 7 gushti i këtij viti i gjen qytetarët në protestë, me synimin për të mos u detyruar të largohen më nga vendi.

“Ky 7 gusht na gjen në këtë shesh, sepse nuk duam më të ikim. Shqipëria është e jona. Nuk duam të ikim që t’ia lirojmë vendin matrapazëve. Këtë ia kemi borxh brezave që do të vijnë”, deklaroi ajo.

Në fjalën e saj, protestuesja u ndal edhe te vështirësitë ekonomike të qytetarëve, duke thënë se shumë shqiptarë nuk kanë mundësi të pushojnë as në vendin e tyre. “Duam të shkojmë në plazhet tona. Rreth 40% nuk arrijnë të bëjnë pushime në vendin e tyre, sepse nuk kanë mundësi”, u shpreh ajo.

 

Frqksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com