Digjen kazanë mbetjesh dhe përfshihen nga flakët 3 automjete në Durrës – Dyshohet për dy zjarrvënie të qëllimshme, nga i njëjti autor
Një seri zjarresh të dyshuara si të qëllimshme kanë shkaktuar dëme gjatë orëve të para të mëngjesit në Durrës, ku janë djegur 10 kazanë mbetjesh dhe janë dëmtuar nga flakët 3 automjete të parkuara.
Pak më vonë, edhe 2 kazanë të tjerë mbetjesh janë djegur në dy pika të ndryshme të rrugës “Mujo Ulqinaku”, duke e çuar në 10 numrin total të kazanëve të shkrumbuar.
Nga të dhënat paraprake dyshohet se bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme dhe se të gjitha rastet janë kryer nga i njëjti autor.
Sipas dyshimeve të para, autori ka lëvizur nga rruga “Enver Velja”, ku dyshohet se i ka vënë zjarrin 8 kazanëve, drejt rrugës “Mujo Ulqinaku”, (rrugë të cilat kryqëzohen me njëra-tjetrën), ku më pas janë djegur edhe dy kazanë të tjerë.
Policia po heton për gjetjen e autorit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

