Deportimi i Sokol Hoxhës, ambasada amerikane: SHBA nuk është strehë për ata që keqpërdorin emigracioni për t’i shpëtuar ligjit
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë reagoi sot lidhur me deportimin e Sokol Hoxhës, duke theksuar rolin vendimtar të autoriteteve amerikane dhe shqiptare në identifikimin dhe ndjekjen e tij pas dekadash fshehjeje.
Sipas ambasadës amerikane, Hoxha ishte dënuar në mungesë për një vrasje të dyfishtë të kryer në Shqipëri në vitin 2000, si edhe për një tjetër vrasje në Belgjikë në vitin 2010.
Ambasada nënvizon më tej se, Hoxha kaloi dekada duke iu shmangur autoriteteve të zbatimit të ligjit, duke përdorur një identitet të rremë, duke siguruar status ligjor në një tjetër vend europian dhe, përfundimisht, duke përfituar qëndrim të përhershëm të ligjshëm në Shtetet e Bashkuara nën një emër të rremë.
Ambasada amerikane bën të ditur se ndryshimi ndodhur falë punës së Njësisë së Hetimeve Penale Ndërkombëtare të Shërbimit të Sigurisë Diplomatike (DSS) pranë Ambasadës së SHBA në Tiranë.
“Kjo ndryshoi falë punës së palodhur të Njësisë së Hetimeve Penale Ndërkombëtare të Shërbimit të Sigurisë Diplomatike (DSS) pranë Ambasadës së SHBA në Tiranë. Duke bashkëpunuar me Shërbimin e Marshallëve në SHBA, ICE, Departamentin e Drejtësisë, INTERPOL-in dhe Policinë e Shtetit Shqiptar, DSS luajti një rol kyç në identifikimin e saktë të Hoxhës, duke zbuluar një periudhë gati 30-vjeçare fshehjeje të identitetit të tij”, shkruan ambasada amerikane.
Ambasada amerikanë e përmbyll reagimin duke theksuar se “ky rast është një kujtesë e fuqishme: Shtetet e Bashkuara nuk do të shërbejnë si strehë e sigurt për ata që keqpërdorin sistemin tonë të imigracionit për t’iu shmangur përgjegjësisë për krime të dhunshme të kryera jashtë vendit. DSS është krenare që qëndron përkrah partnerëve tanë vendas dhe ndërkombëtarë në këtë mision”.
51-vjeçari Sokol Hoxha i arrestuar në Ohio, u deportua dje drejt vendit tonë pasi rezulton i dënuar për tri vrasje.
Fraksion.com

