Niveli i ulët i ujit në Danub sjell krizë energjetike
Rumania po përpiqet të parandalojë një ndërprerje të plotë të punës së centralit bërthamor të Cernavodës, reaktorët e të cilit ftohen me ujë nga lumi Danub, duke përdorur masa të pazakonta. Për shkak të nivelit të ulët të ujit funksionimi i centralit është në rrezik. Lumi Danub aktualisht ka rreth një të tretën më pak ujë se sa zakonisht në këtë periudhë të vitit.
Për të rritur nivelin e ujit pranë centralit ushtria hodhi në erë një shkëmb në një degë të Danubit pranë Izvoareles. Copat e shkëmbit do të transportohen me maune në një vend tjetër dhe do të fundosen atje. Me këtë masë autoritet shpresojnë se do të rritet niveli i ujit në Cernavoda në mënyrë që centrali bërthamor të vazhdojë punën.

Ministri i Mbrojtjes, Radu Miruță, e quajti shpërthimin si sukses. Sipas tij pavarësisht ndikimit që mund të ketë ky aksion në rritjen e niveli të ujit për centralin atomik, shpërthimi u lehtëson edhe anijeve lundrimin në atë zonë.
Megjithatë ministri pranoi gjithashtu se, nëse plani dështon, termocentrali bërthamor do të duhet të ndërpresë plotësisht punën, jo më vonë se ditën e enjte. Njëri nga dy reaktorët është ndalur tashmë javën e kaluar.

Qeveria rumune u bëri thirrje qytetarëve të kursejnë energjinë elektrike. Sipas kryeministrit Ilie Bolojan edhe prodhuesit e automjeteve Dacia dhe Ford e kanë pezulluar përkohësisht prodhimin.
Serbi: Një hidrocentral i rëndësishëm kufizon prodhimin
Edhe në vende të tjera përgjatë lumit Danub, si Serbi apo Hungari niveli i ulët i ujit po shkakton probleme në furnizimin me energji elektrike.
Në Serbi një hidrocentral i rëndësishëm i vendit po funksionon aktualisht vetëm me 20 për qind të kapacitetit të tij. Kryeministri serb, Gjuro Macut, u bëri thirrje qytetarëve të kufizojnë përdorimin e pajisjeve që konsumojnë shumë energji elektrike.

Kurse në Hungari, pritet që i vetmi central bërthamor i vendit të ndërpresë plotësisht punën. Sipas kryeministrit Peter Magyar, aktualisht është në punë vetëm një turbinë. Por për shkak të nivelit të ulët të ujit në Danub gjatë ditëve të ardhshme ka shumë të ngjarë të bëhet i domosdoshëm ndërprerja e plotë e aktivitetit të centralit atomik Paks./DW
Fraksion.com

