AktualitetPolitikëTë fundit

“U thirr sot në SPAK”, Bardhi: Balluku duhet të ishte me pranga në duar, por vazhdon të shëtisë e lirë, falë mbrojtjes politike të Ramës

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pasi zëvendëskryeministrja Belinda Balluku u mor e pandehur për akuza të tjera që lidhen me abuzimet në ushtrimin e detyrës.

Përmes një deklarate, Bardhi akuzon kryeministrin Edi Rama se po i ofron mbrojtje politike Ballukut, ndërsa kritikon SPAK-un për atë që e cilëson si mosveprim të pajustifikueshëm. Sipas tij, fakti që SPAK ka shtuar akuza të reja ndaj Ballukut rikonfirmon qëndrimin e mëparshëm të Grupit Parlamentar të PD-së për heqjen e imunitetit të saj parlamentar.

Bardhi argumenton se një zyrtar që përballet me disa akuza për abuzim me fondet publike dhe që, sipas tij, po hetohet edhe për korrupsion dhe pastrim parash, nuk duhet të qëndrojë në liri, pasi ekziston rreziku të ndikojë mbi provat, të cenojë hetimet ose të ushtrojë presion ndaj dëshmitarëve.

Në reagimin e tij, ai kërkon që SPAK të zbatojë të njëjtat standarde për të gjithë zyrtarët, pa përjashtime dhe pa ndikim politik, duke theksuar se barazia para ligjit është thelbësore për ruajtjen e besimit të qytetarëve te drejtësia.

Sipas Bardhit, një drejtësi që perceptohet si e ndikuar nga politika rrezikon të humbasë pavarësinë dhe paanshmërinë e saj, ndaj, sipas tij, Prokuroria e Posaçme duhet të veprojë me të njëjtat standarde ndaj çdo zyrtari, pavarësisht funksionit apo mbështetjes politike.

REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI

Duhet të ishte me pranga në duar, por vazhdon të shëtisë e lirë, falë mbrojtjes politike të Edi Ramës dhe mosveprimit, sipas nesh të pajustifikueshëm, të SPAK-ut.

Belinda Balluku është marrë sot e pandehur për akuza të tjera që lidhen me abuzimet në ushtrimin e detyrës.

Shtimi i akuzave zyrtare nga SPAK ndaj krahut të djathtë të Edi Ramës rikonfirmon edhe një herë se qëndrimi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për heqjen e imunitetit të saj parlamentar ka qenë i drejtë dhe i domosdoshëm. Një person që përballet me disa akuza për abuzim me miliona euro të Buxhetit të Shtetit dhe që po hetohet gjithashtu për korrupsion dhe pastrim parash nuk duhet të lejohet, të qëndrojë në liri sepse ekziston rreziku që të ndikojë mbi provat, të cenojë hetimet ose të intimidojë dëshmitarët.

Ruajtja e standardeve të njëjta nga SPAK-u është një domosdoshmëri për të mos cenuar besimin e qytetarëve te drejtësia. Një drejtësi që nuk respekton parimin kushtetues të “barazisë së qytetarëve përpara ligjit” rrezikon të shndërrohet në një instrument selektiv, në vend që të garantojë drejtësi të barabartë për të gjithë.

Një drejtësi që perceptohet se ndikohet nga vendimmarrja politike e mazhorancës nuk mund të konsiderohet as plotësisht e pavarur dhe as plotësisht e paanshme. Prandaj, SPAK-u duhet të zbatojë të njëjtat standarde për çdo zyrtar, pa përjashtim dhe pa privilegje politike.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com