“Timak Defence”, FA pajiset me 40 mjete të prodhuara në Shqipëri, Nufi: Presim dhe 50 të tjera brenda vitit
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi ishte sot i pranishëm në eventin për marrjen në dorëzimin nga Forcat e Armatosura, të 40 mjeteve të para taktike të prodhuara në Shqipëri me standardet e NATO-s nga kompania “Timak Defence”.
Gjatë fjalës së tij, Nufi tha se këto 40 mjete taktike sot janë një kontribut i qartë i forcimit të kapaciteteve të Forcave të Armatosura.
“Edhe sot jemi dëshmitarë më shumë se kurrë e asaj që Shqipëria po ndërton. Diçka që shumë vite e kemi konsideruar një objektiv ambicioz: aftësinë për të zhvilluar kapacitete vendase në industrinë e mbrojtjes”, tha ai.
Nufi shtoi se si aleate e përgjegjshme e NATO-s, Shqipëria është plotësisht e angazhuar në këtë drejtim. Sipas tij angazhimet janë ndërmarrë “që me themelimin e shoqërisë KAYO, me ndërtimin dhe ngritjen, miratimin e ligjit për industrinë e mbrojtjes, ku janë hedhur hapat e parë, që sot ne të mund të kemi një shtrat të besueshëm ku mund të mbështetemi për ndërtimin pikërisht të kësaj industrie”.
Sipas Nufit, partneriteti ndërmjet shoqërisë KAYO dhe shoqërisë TIMAK është shembull konkret i produktit të dalë pikërisht nga këto dy ligje: nga ligji për KAYO-n dhe nga ligji për industrinë e mbrojtjes.
“Kjo partneritet konkret midis KAYO dhe TIMAK ka lindur shoqërinë TIMAK Defense, e cila sot, 3 muaj përpara afatit, dorëzon 40 mjetet e para të prodhuara në Republikën e Shqipërisë. Janë 35 mjete të vogla 4+1 dhe janë 5 kamionë, të cilat u dorëzohen para afatit Forcave të Armatosura”, tha Nufi.
Sipas tij, sot Forcat e Armatosura kanë kapacitete serioze në përmbushjen e detyrave operacionale.
“Objektivi ynë mbetet plotësisht i qartë: ne duhet të ndërtojmë një industri moderne të mbrojtjes, të aftë për të përmbushur nevojat e institucioneve tona dhe të të gjitha angazhimeve që ne kemi në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut, por njëkohësisht edhe të integrojmë zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit duke përmbushur standardet më të larta të cilësisë dhe të besueshmërisë”, tha ai.
Nufi nënvizoi se ky është një investim strategjik për të ardhmen e vendit.
“Mjetet taktike që sot bëhen pjesë e Forcave të Armatosura janë pjesë e këtij rrugëtimi. Ato do të mbështesin misionet e tyre dhe do të përfaqësojnë aftësitë e industrisë shqiptare për të prodhuar sipas standardeve që koha kërkon”, tha ai.
Gjithashtu ministri shtoi se do të deri në fund të vitit priten edhe 50 mjete të tjera nga shoqëria “TIMAK Defense” që do të shktojnë për Forcat e Armatosura.
“Vitin që vjen vijnë edhe kapacitete të tjera, autobotët, zjarrfikëset për Forcat e Armatosura, të cilat gjithashtu janë të fjalës së fundit, kapacitete të cilat do t’i zgjerojnë akoma dhe më tej të gjitha operacionet e emergjencave civile apo të ushtrisë shqiptare në territorin e Republikës”, tha ai.
Fraksion.com

