AktualitetNATO/BETë fundit

BE do të ndërtojë gigafabrikat e veta të IA-së

Bashkimi Evropian prezantoi një plan për të siguruar financime publike dhe private për zhvillimin e gjerë të infrastrukturës së IA-së për të reduktuar varësinë nga vendet joevropiane.

Komisioni Evropian ka hapur thirrje për oferta që synon të gjenerojë mbi 30 miliardë euro financim publik dhe privat për ndërtimin e shtatë të ashtuquajturave gigafabrika të Inteligjencës Artificiale për të forcuar pavarësinë e Bashkimit Evropian në këtë fushë. 10 miliardë euro do të vihen në dispozicion nga BE-ja dhe shtetet anëtare, ndërsa 20 miliardë eurot e tjera pritet të sigurohen nga investitorë privatë.

Fondet do të mblidhen dhe shpërndahen nga Ndërmarrja e Përbashkët Evropiane për Kompjuterikën me Performancë të Lartë (EuroHPC JU), e cila u krijua në vitin 2020 për të zhvilluar “një ekosistem superkompjuterik të klasit botëror duke bashkuar burimet e Bashkimit Evropian, të vendeve evropiane dhe të partnerëve privatë”.

Domosdoshmëri strategjike për Evropën

Komisioni deklaroi se kjo nismë do të “zgjerojë kapacitetet e Evropës për Inteligjencën Artificiale dhe do t’u japë qasje në infrastrukturë startup-eve, kompanive në rritje (scale-ups), ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, industrisë, universiteteve dhe autoriteteve publike”.

BE-ja shpreson të trefishojë kapacitetin e qendrave të saj të të dhënave brenda pesë deri në shtatë vjetëve të ardhshëmFotografi: Matteo Della Torre/NurPhoto/picture alliance

Duke folur për ndërtimin e këtyre objekteve, të cilat do të prodhojnë procesorë të avancuar për Inteligjencën Artificiale, softuer, platforma cloud, lidhje me shpejtësi të lartë dhe qendra të dhënash me efikasitet energjetik, Henna Virkkunen, nënkryetare ekzekutive e Komisionit Evropian për Sovranitetin Teknologjik, Sigurinë dhe Demokracinë, e cilësoi këtë moment si “një pikë të rëndësishme kthese”. Ajo e quajti këtë nismë një domosdoshmëri strategjike për Evropën, sepse zhvillimi i IA-së po përshpejtohet.

BE-ja e varur në teknologji nga SHBA-ja dhe Kina

Aktualisht Bashkimi Evropian ka 19 qendra të dhënash (data centers), të shpërndara nga Spanja deri në Finlandë.

Megjithatë BE-ja vazhdon të mbetet ende shumë e varur nga aktorë të huaj për teknologjinë e tij, gjë që e bën atë dhe shtetet anëtare mjaft të cenueshme ndaj vendimeve dhe interesave të fuqive të jashtme.

Presidenti amerikan Donald Trump, për shembull, e ka bërë të qartë synimin e tij për të përdorur peshën ekonomike të Shteteve të Bashkuara për të ndikuar në mënyrën se si BE-ja dhe vendet e saj anëtare vendosin rregulla për kompanitë amerikane të teknologjisë. Nga ana tjetër Kina ka kufizuar furnizimin me minerale që janë jetike për sektorin teknologjik.

Energjia dhe sfida të tjera

Tani BE-ja shpreson të trefishojë kapacitetin e qendrave të saj të të dhënave brenda pesë deri në shtatë vjetëve të ardhshëm, dhe të fitojë më shumë pavarësi teknologjike. Megjithatë ajo përballet me sfida të mëdha në konkurrencën me SHBA-në dhe Kinën, ku, ndër të tjera, energjia është dukshëm më e lirë.

Qendra e të dhënave në Middenmeer, Holandë
Sot Bashkimi Evropian ka 19 qendra të dhënashFotografi: Sepia100/Pond5 Images/IMAGO

Një raport i fundit i Komisionit Evropian, i paraqitur në Parlamentin Evropian, dha një vlerësim mjaft pesimist për të ardhmen, nëse situata mbetet e pandryshuar. Raporti paralajmëroi se: “Bizneset evropiane dhe autoritetet publike do të vazhdojnë të mbështeten te ofruesit amerikanë të inteligjencës artificiale, në dëm të ofruesve evropianë të shërbimeve që përpiqen të konkurrojnë në kufijtë më të avancuar të teknologjisë.”

Raporti theksoi gjithashtu se: “Varësia nga ofruesit e mëdhenj të shërbimeve cloud dhe të kapaciteteve llogaritëse për inteligjencën artificiale, veçanërisht për përdorime shumë kritike, do të vazhdojë t’i ekspozojë të dhënat ndaj aksesit nga vende të treta dhe do të krijojë rreziqe për vazhdimësinë e shërbimeve, duke rrezikuar autonominë operacionale.”/DW

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com