AktualitetPolitikëTë fundit

Boçi: Drafti i Reformës Territoriale, thikë pas shpine e mazhorancës ndaj qytetarit dhe territorit

Bashkëkryetari i komisionit të posaçëm parlamentar të Reformës Territoriale, deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi reagoi sot ndaj hartës së re territoriale që ka propozuar Partia Socialiste.

Boçi shkroi në rrjetet sociale, se kjo hartë-draft është një thikë pas shpine ndaj qytetarëve dhe territorit të vendit.

“Drafti është një produkt unilateral, i paraqitur nga PS pasi Komisioni ka mbyllur mandatin e tij, pa diskutim, debat apo miratim dhe pa një raport të përbashkët apo veçmas”, theksoi deputeti i PD-së.

Sipas tij, drafti është hartë elektorale 2.0.

“Si e tillë është një iniciativë jo institucionale shtetërore me vija politike dhe matematikë votash që dekonsideron qytetarin e shërbimin ndaj tij, zhvlerëson funksionin e pushtetit lokal dhe krijon një precedent të rrezikshëm për çdo reformë tjetër e ndërveprim institucional të kërkuar me ngulm nga BE”, shkroi Boçi.

Sipas tij, drafti qartazi është një projekt për centralizimin të mëtejshëm të qeverisjes lokale, përkundrejt decentralizimit të kërkuar me insistim nga autoritetet ndërkombëtare si KiE, BE e Kongresi i Autoriteve Vendore.

“Komisioni nuk mori kurrë një vendim mbi hartën. Nuk votoi asnjë variant. Nuk miratoi asnjë raport qoftë dhe të pjesshëm apo vlerësimi për 2014. Nuk pati konkluzione të ekspertëve të paraqitura. Dhe dështoi me vullnetin e PS, dëgjesat tematike me grupet e interesit, me shoqatat e bashkive, shoqërinë civile, organizatat ndërkombëtare.
Dështoi dhe dëgjesat me komunitetet sipas kërkesave të tyre. Prandaj nuk mund të përdoret kurrsesi puna e Komisionit, për të legjitimuar një projekt që është ekskluzivisht politik”, deklaroi ai.

Boçi u shpreh se drafti pretendon se ulja nga 61 në 46 bashki mbështetet mbi analiza objektive, por si u shpreh ai, askund nuk publikohet metodologjia e pikëzimit, pesha e secilit indikator, analiza krahasuese për secilën bashki, arsyet pse disa bashki shkrihen, ndërsa të tjera me tregues më të dobët mbeten.

“Drafti përpiqet ta lidhë reformën me integrimin europian dhe pretendon se 70% e legjislacionit të BE zbatohet nga pushteti vendor. Por mos harrojmë që pikërisht për këtë arsye, Bashkimi Europian kërkon më shumë autonomi vendore, më shumë kompetenca, më shumë financa lokale, konsultim real”, tha Boçi.

Sipas tij, BE nuk kërkon më pak bashki.

“Këshilli i Europës njëherazi në rekomandimet e fundit nuk kërkon reduktim të numrit të bashkive, por forcim të decentralizimit. Ky draft politik nuk u përgjigjet këtyre rekomandimeve”, vuri në dukje ai.

“Nga ana tjetër drafti nuk përmban koston e tranzicionit, koston e administratës, ndikimin mbi punësimin, ndikimin mbi buxhetet vendore, ndikimin mbi shërbimet. Kemi një draft kuturu nga pikpamja financiare. Një reformë territoriale pa analizë financiare është një eksperiment i paralajmëruar si dështim”, theksoi Boçi.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com