Senati mbështet projektligjin për sanksione ndaj Rusisë
Senati amerikan ka dhënë një nga mbështetjet më të fuqishme dypartiake për Ukrainën që kur presidenti Donald Trump, u rikthye në Shtëpinë e Bardhë, pasi ligjvënësit votuan me 86 vota për dhe 12 kundër avancimit të një legjislacioni që synon ashpërsimin e presionit ekonomik ndaj Rusisë dhe Iranit.
Votimi procedural, i mbajtur vetëm pak orë pas funeralit të senatorit Lindsey Graham nga Karolina e Jugut, hartuesit kryesor të projektligjit, u zhvillua menjëherë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje senatorëve ta votonin projektligjin gjatë një takimi me dyer të mbyllura, përpara se ta ndiqte votimin nga salla e Senatit.
Projektligji, i quajtur zyrtarisht Akti Lindsey O. Graham për Vendosjen e Sanksioneve ndaj Rusisë dhe Iranit i vitit 2026, i jep presidentit Trump autoritetin të vendosë tarifa deri në 200 për qind ndaj blerësve më të mëdhenj në botë të naftës dhe gazit natyror rus, teksa zgjeron sanksionet që kanë për shënjestër institucionet financiare të Rusisë, elitën politike, oligarkët dhe “flotën në hije” që përdoret për t’iu shmangur kufizimeve ekzistuese. Ai po ashtu zgjat sanksionet ndaj Iranit deri në vitin 2031.
Edhe pse projektligji duhet të miratohet përfundimisht në Senat dhe më pas të shqyrtohet në Dhomën e Përfaqësuesve pas pushimit të gushtit, i së martës vë në pah një konsensus të rrallë dypartiak se presioni ekonomik mbetet një nga mjetet më të fuqishme të Uashingtonit kundër Moskës.
Gjatë gjithë mbrëmjes, senatorët e paraqitën projektligjin jo thjesht si një paketë tjetër sanksionesh, por si një përpjekje strategjike për ta privuar presidentit rus, Vladimir Putin, nga të ardhurat që financojnë luftën e Rusisë në Ukrainë.
Thirrjet e Zelenskyt
Pas takimit me senatorët, Zelensky tha se projektligji ka një rëndësi që shkon përtej ndikimit të tij të drejtpërdrejtë ekonomik.
“Ky projektligj është shumë i rëndësishëm”, tha ai. “Presioni, përmes sanksioneve, ndaj Rusisë është shumë i rëndësishëm. Nuk bëhet fjalë vetëm për paratë që Rusia përdor për të financuar këtë luftë. Ai është gjithashtu një sinjal i madh për Evropën, një sinjal i madh për Ukrainën dhe një mbështetje e madhe për popullin tonë”.
Ai tha se shpreson që projektligji do të shndërrohet në ligj, duke theksuar se ishte mirënjohës për diskutimin dypartiak dhe optimist për një rezultat pozitiv.
Përtej sanksioneve, Zelensky tha se biseda me senatorët u përqendrua gjerësisht te nevojat e Ukrainës në fushëbetejë, veçanërisht te forcimi i industrisë vendase të mbrojtjes.
Ai tha se Ukraina dëshiron të zgjerojë prodhimin e sistemeve, që janë të afta për të shkatërruar dronët Shahed të prodhuar nga Irani dhe mjetet ajrore ruse pa pilot, duke vazhduar njëkohësisht zhvillimin e kapaciteteve moderne të luftës elektronike.
Njëkohësisht, ai theksoi se nevoja më urgjente ushtarake e Kievit mbetet sigurimi i sistemeve shtesë të mbrojtjes ajrore.
“Problemi kryesor janë sistemet kundër raketave balistike dhe raketat antibalistike”, tha Zelensky, duke shtuar se këto kërkesa ia kishte paraqitur më herët gjatë së martës presidentit amerikan, Donald Trump, gjatë takimit të tyre, dhe më pas ua përsëriti këto kërkesa edhe senatorëve.
Deklaratat e tij pasqyrojnë mesazhin gjithnjë e më të qëndrueshëm të Ukrainës se, ndërsa mbështetja në fushëbetejë mbetet e domosdoshme, presioni i vazhdueshëm ekonomik ndaj Moskës është bërë po aq i rëndësishëm për dhënien fund të luftës më shpejt.
Armë ekonomike kundër Putinit
Senatori republikan Jim Risch nga Idaho, kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, tha se kjo masë ishte negociuar me kujdes me Shtëpinë e Bardhë për një kohë të gjatë.
“Kishte mbështetje të gjerë dypartiake”, tha senatori Risch. “Presidenti ndihmoi. Ne punuam me presidentin për këtë. Kjo është gjëja e duhur që duhet bërë tani”.
Ai i bëri thirrje Dhomës së Përfaqësuesve të veprojë shpejt sapo Senati ta miratojë projektligjin.
Risch vuri në pah edhe komentet e bëra gjatë takimit të senatorëve nga Zelensky dhe presidenti finlandez, Alexander Stubb, duke thënë se të dy udhëheqësit besonin se projektligji mund të ketë një ndikim të barabartë me, ose edhe më të madh se, zhvillimet në fushëbetejë.
“Ky projektligj mund të ketë më shumë ndikim se çdo gjë që bëhet në fushëbetejë”, tha Risch, duke argumentuar se ndalja e burimeve të të ardhurave të Rusisë godet drejtpërdrejt aftësinë e Putinit për ta vazhduar luftën.
Senatori demokrat, Richard Blumenthal, nga Konektikat, partneri kryesor demokrat i Grahamit në hartimin e këtij projektligji gjatë një viti e gjysmë, e quajti votimin “një votë jashtëzakonisht të fuqishme në mbështetje të Ukrainës”.
“Lufta e Ukrainës është lufta jonë”, tha Blumenthal, duke argumentuar se projektligji do të ndalojë “rrjedhën e parave të mbuluara me gjak” që financojnë pushtimin rus.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje për mesazhin që po i dërgohej Putinit, Blumenthal tha:
“Ky projektligj i thotë Vladimir Putinit: ditët e tua të luftës janë të numëruara. Ti je në anën e humbësve. Është më mirë të ulesh në tryezën e bisedimeve tani sesa të sakrifikosh më shumë jetë, të shpërdorosh më shumë para, ta fundosësh ekonominë tënde dhe të shkatërrosh pozitën tënde në botë. Amerika qëndron përkrah Ukrainës”.
Senatori republikan Roger Wicker nga Mississippi e përshkroi votimin si “më shumë sesa një homazh” për Grahamin, duke e quajtur atë një dëshmi të mbështetjes së fuqishme dypartiake dhe se ligjvënësit nga i gjithë spektri politik amerikan mbështesin rritjen e presionit ekonomik ndaj Rusisë.
Megjithatë, ai paralajmëroi se Ukrainën ende e presin muaj të vështirë.
“Momentumi është në favor të ukrainasve”, tha Wicker, “por dimri po afron dhe ka ende shumë punë për t’u bërë”.
Senatorja demokrate, Jeanne Shaheen, nga Nju Hempshajër tha se projektligji nuk synon thjesht të ndëshkojë Rusinë, por të eliminojë burimin financiar që mban gjallë fushatën e saj ushtarake.
“Qëllimi i këtij projektligji është të ndërpresë rrjedhën e parave që po ushqejnë këtë luftë”, tha ajo.
Shaheen vuri në pah se projektligji shënjestron në mënyrë të veçantë eksportet energjetike të Rusisë dhe “flotën në hije” që transporton naftë, teksa identifikoi Kinën si blerësen më të madhe të energjisë ruse.
Ajo argumentoi se ulja e të ardhurave të Rusisë ka edhe pasoja më të gjera gjeopolitike për shkak të mbështetjes që Pekini i jep Moskës.
Senatorja republikane, Katie Britt, nga Alabama e paraqiti votimin si një homazh për Grahamin, por edhe si një dëshmi të vendosmërisë së Shteteve të Bashkuara.
“Dëgjuam presidentin Zelensky në këtë sallë dhe më pas dolëm jashtë e bëmë diçka”, tha Britt.
“I treguam botës se qëndrojmë në anën e forcës, qëndrojmë në anën e paqes dhe qëndrojmë përkrah Ukrainës”.
Ajo kujtoi se Graham u kishte thënë kolegëve se pavarësisht karrierës së tij të gjatë në Senat, besonte se ky projektligj do të bëhej arritja më e rëndësishme në karrierën e tij.
Në shënjestër blerësit më të mëdhenj të energjisë ruse
Një element kyç i projektligjit është përqendrimi i tij te vendet që vazhdojnë të blejnë naftë dhe gaz natyror rus, pavarësisht pushtimit të Ukrainës nga Moska.
Senatorët theksuan se projektligji është kufizuar ndjeshëm krahasuar me versionet e mëparshme, për të shmangur ndëshkimin e aleatëve të SHBA-së, duke e përqendruar presionin ekonomik te blerësit kryesorë që financojnë luftën e Rusisë.
Blumenthal tha se projektligji e autorizon, por nuk e detyron, presidentin të vendosë tarifa deri në 200 për qind ndaj pesë blerësve më të mëdhenj të naftës dhe gazit rus, si dhe ndaj vendeve që janë më të përfshira në ndihmën që i jepet Rusisë për t’iu shmangur sanksioneve ekzistuese.
“Është hartuar me kujdes për t’u siguruar që nuk po godasim aleatët tanë”, tha ai. “Le ta themi qartë: Kina dhe India janë fajtoret kryesore në këtë rast”.
Sipas Blumenthalit, tarifat e fundit të SHBA-së ndaj Indisë treguan efektivitetin e mundshëm të kësaj qasjeje, duke kontribuar në një ulje të ndjeshme të blerjeve indiane të naftës ruse.
Ai argumentoi se kombinimi i tarifave me sanksionet krijon një mjet të fuqishëm presioni ekonomik që, sipas tij, në fund mund ta detyrojë Moskën drejt negociatave.
Projektligji po ashtu zgjat sanksionet ndaj Iranit deri në vitin 2031, duke pasqyruar argumentin e senatorëve se bashkëpunimi në fushën e sigurisë mes Rusisë dhe Iranit është bërë gjithnjë e më i ngushtë përmes furnizimit të Teheranit me dronë dhe teknologji ushtarake.
Vëmendja zhvendoset te Dhoma e Përfaqësuesve
Pavarësisht mbështetjes dypartiake në Senat, projektligji duhet të kapërcejë edhe një pengesë tjetër.
Dhoma e Përfaqësuesve nuk pritet të rikthehet në punë deri pas pushimit të gushtit, gjë që e shtyn miratimin përfundimtar të tij në Kongres.
Megjithatë, senatorët shprehën besimin se votimi i së martës do t’i japë projektligjit një shtysë të re.
Disa ligjvënës vunë në dukje se në takimin e Zelenskyt me senatorët morën pjesë edhe anëtarë dypartiakë të Dhomës së Përfaqësuesve, gjë që ata e konsideruan një shenjë inkurajuese.
Shaheen pranoi se disa demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve kanë shqetësime lidhur me kompetencat e presidentit për vendosjen e tarifave, por argumentoi se shumë prej kritikëve ende nuk kanë njohuri me ndryshimet e bëra gjatë negociatave.
Edhe Blumenthal argumentoi se ligjvënësit që e mbështesin seriozisht Ukrainën duhet të bashkohen rreth kompromisit të arritur në Senat, pasi ai gëzon mbështetjen e Shtëpisë së Bardhë dhe ka gjasat më të mëdha të shndërrohet në ligj.
Për Zelenskyn, i cili e kaloi ditën duke u takuar me presidentin Trump, senatorët dhe duke marrë pjesë në ceremoninë mortore të Grahamit, votimi përfaqësoi një tjetër dëshmi se, pavarësisht ndarjeve politike në Uashington, mbështetja dypartiake e Kongresit për Ukrainën mbetet e konsiderueshme.
Votimi procedural me 86 vota për dhe 12 kundër, i shoqëruar me deklaratat e përsëritura nga ligjvënësit e dy partive se “Amerika qëndron përkrah Ukrainës”, përcolli ndoshta mesazhin më të qartë të ditës: Kongresi synon të rrisë koston ekonomike të luftës së Rusisë./REL
Fraksion.com

