AktualitetRajoniTë fundit

Italia dëbon dy zyrtarë ushtarakë rusë nga ambasada në Romë, Tajani: U identifikuan si përgjegjës për aktivitete spiunazhi

Qeveria italiane ka vendosur dëbimin e dy punonjësve ushtarakë rusë që shërbenin në Ambasadën e Rusisë në Itali, pasi dyshohet se janë përfshirë në aktivitete spiunazhi.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, i cili përmes një reagimi në rrjetet sociale deklaroi se dy personat janë identifikuar gjatë hetimit të Prokurorisë së Romës si “përgjegjës për aktivitete spiunazhi”.

Sipas njoftimit të Tajanit, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme italiane i ka komunikuar ambasadorit rus në Romë se Ivan Petrovich Gorbachev dhe Mikhail Vasilyevich Astakhov duhet të largohen nga Italia brenda tre ditësh.

Vendimi i Romës ka sjellë reagim të menjëhershëm nga Moska. Ministria e Jashtme ruse njoftoi se do t’i përgjigjet masës së marrë nga Italia, pa bërë të ditur se çfarë forme do të ketë reagimi.

Dëbimi i dy zyrtarëve vjen në një periudhë tensionesh të rritura mes vendeve perëndimore dhe Rusisë, ku çështjet e sigurisë dhe akuzat për ndërhyrje të jashtme kanë qenë në qendër të vëmendjes.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com