Balla në Strasburg: Jemi në një fazë intensive me rezultate konkrete në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, zhvilloi takim në Parlamentin Europian në Strasburg me Kathleen Van Brempt, zëvendëspresidente e Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian.
Balla deklaroi se Shqipëria ndodhet në një fazë intensive të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian, ndërsa njoftoi se në ditët në vijim pritet të nisë mbyllja e kapitujve të parë të negociatave.
“Jemi në një fazë intensive me rezultate konkrete në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, u shpreh Balla, duke theksuar se objektivi i mazhorancës është përmbyllja e negociatave deri në fund të vitit 2027.
Sipas Ballës, Shqipëria synon që flamuri kuqezi të ngrihet në Bruksel brenda vitit 2030, ndërsa kjo mund të ndodhë edhe më herët, brenda këtij mandati të Parlamentit Europian.
Gjatë takimit, Balla foli edhe për zhvillimin ekonomik të vendit, duke theksuar rritjen e investimeve të huaja dhe zgjerimin e ekonomisë shqiptare. Ai deklaroi se ekonomia ka arritur në 27 miliardë euro dhe se investimet e huaja janë rritur ndjeshëm krahasuar me një dekadë më parë.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së vlerësoi gjithashtu zhvillimin e sektorit të turizmit, duke deklaruar se Shqipëria pret një tjetër rritje të numrit të vizitorëve këtë vit, me pritshmëri për të kaluar shifrën e 13 milionë turistëve.
Në deklaratën e tij, Balla u ndal edhe te sfida e dezinformimit, duke theksuar se demokracia kërkon qytetarë të informuar dhe se lufta ndaj lajmeve të rreme është mbrojtje e debatit publik dhe e institucioneve demokratike.
Fraksion.com

