Rassemblement National i Francës i zgjat dorën Gjermanisë
Të martën, më 7 korrik, do të jepet verdikti në çështjen e apelit kundër Marine Le Pen-it.
Ajo është lidere e Rassemblement National (RN) në Asamblenë Kombëtare të Francës . Kjo parti konsiderohet populiste e djathtë ose e ekstremit të djathtë. Nëse gjykata edhe një herë e pengon Le Penin të kandidojë për zgjedhjet për shkak të keqpërdorimit të fondeve të BE, ajo do të përjashtohet nga zgjedhjet presidenciale në prill 2027.
Nëse jo, ajo mund të shpallë kandidaturën e saj. Do të ishte përpjekja e saj e katërt, pas zgjedhjeve presidenciale të viteve 2012, 2017 dhe 2022. Në dy të fundit, ajo humbi në raundin e dytë ndaj Presidentit aktual, Emmanuel Macron , i cili, megjithatë, nuk mund të kandidojë sërish pasi ka shërbyer dy mandate.
Megjithatë, nëse gjykata vazhdon ta përjashtojë Marine Le Pen-in nga zgjedhjet, ka të ngjarë që Jordan Bardella , lideri 30-vjeçar i RN-së dhe biri politik i Marine Le Pen, të hyjë në garë.
Një fitore e RN-së nuk ka qenë kurrë kaq e afërt
Pavarësisht se cili prej tyre kandidon, sondazhet duken premtuese për partinë. Sipas tyre, si Le Pen-i ashtu edhe Bardella do të fitonin raundin e parë në prill me një avantazh të rehatshëm ndaj kandidatit të radhës, me shifra që variojnë midis 32 për qind dhe 38 për qind. Rivali kryesor është ish-kryeministri Edouard Philippe, i partisë së qendrës së djathtë Horizons.
Nëse ai përballet me Bardella-n ose Le Pen-in në raundin e dytë, suksesi i tij do të varet nga nëse ai do të jetë në gjendje të mobilizojë votuesit e qendrës dhe të majtë për të parandaluar një fitore të RN-së.
Kështu ka ndodhur në disa zgjedhje presidenciale dhe parlamentare, ashtu si në Gjermani ku partitë e tjera shpesh formojnë aleanca kundër AfD-së, e cila, në disa aspekte, është e ekstremit të djathtë. “Por kjo dinamikë është dobësuar ndjeshëm në vitet e fundit,” i thotë DW-së Jacob Ross, ekspert për Francën në Shoqatën Gjermane për Politikë të Jashtme. “Mundësia (që RN të fitojë gjithashtu raundin e dytë) është më e madhe se kurrë – kjo është e sigurt.”
RN nuk dëshiron të ketë të bëjë me AfD-në
Ngjitja e Rassemblement National (Tubimit Kombëtar) është bërë e mundur nga një strategji afatgjatë që Marine Le Pen e ka quajtur “antidemonizim”: distancimi nga antisemitizmi dhe racizmi i hapur që karakterizonte babanë e saj, Jean-Marie Le Pen, dhe adoptimi i një kursi më të moderuar dhe të qeverisshëm që është i pranueshëm për elektoratin e qendrës së djathtë.
Sa më e mundshme që duket një fitore zgjedhore në vitin 2027, aq më shumë RN distancon veten nga partitë e ekstremit të djathtë jashtë vendit dhe kërkon, në vend të kësaj, të krijojë lidhje me partitë e qendrës së djathtë.
Dhe këtu hyn në lojë Gjermania. Si Le Pen-i ashtu edhe Bardella janë distancuar qartë nga AfD, duke e konsideruar atë tepër ekstremiste, madje duke shkuar deri aty sa ta përjashtojnë nga grupi i tyre i përbashkët parlamentar në Parlamentin Evropian. Megjithatë, të dyja partitë ndajnë një agjendë të ngjashme, veçanërisht në lidhje me luftën kundër imigracionit dhe skepticizmin e tyre ndaj BE-së.
Lavdërime për kancelarin Merz për politikat klimatike dhe të imigracionit
Për më tepër, në fillim të vitit, Jordan Bardella u takua me ambasadorin gjerman në Paris, Stephan Steinlein, për bisedime. Dhe në maj, në një intervistë për ‘Frankfurter Allgemeine Zeitung’, Bardella lavdëroi haptazi Kancelarin Friedrich Merz të partisë CDU dhe foli për ‘bazë të përbashkët ideologjike’ me të.
Ndër këto, ai përmendi kritikat ndaj programit të mbrojtjes së klimës së BE-së, Marrëveshjes së Gjelbër (Green Deal), dhe menaxhimin e “rrjedhave të migracionit”, megjithatë Bardella mirëpriti rivendosjen e kontrolleve në kufijtë e Gjermanisë.
Kjo ishte diçka e re. Në të kaluarën, politikanët e RN-së, ashtu si e majta ekstreme në Francë, kishin adoptuar vazhdimisht një ton kritik apo madje armiqësor ndaj Gjermanisë.
“Shumë shpesh, në të dyja skajet e spektrit politik, pikturohet ky imazh i një Gjermanie dominuese,” thotë Jacob Ross, “e cila tërheq fijet në Bruksel dhe përmes Komisionit Evropian, dhe e cila dobëson pozicionin e Francës përmes legjislacionit dhe masave administrative.”
Me komentet e tij, Bardella donte të dërgonte një mesazh për politikën federale dhe, mbi të gjitha, për partitë e Unionit, CDU-në dhe CSU-në: “Ne nuk jemi kështu. Kur të marrim përgjegjësi qeveritare, ne do të distancohemi nga retorika e kësaj fushate zgjedhore dhe do të jemi partnerë pragmatikë.”
Një fitore e RN do të sillte mosmarrëveshje me Gjermaninë
Zyra kancelarore mbeti e heshtur përballë deklaratave të Bardellas. Merz, i cili thekson qendrën politike dhe vlerën e integrimit evropian, qartë nuk i jep rëndësi lavdërimeve të një politikani francez të ekstremit të djathtë.
Megjithatë, Kancelari gjerman do të duhet të marrë në konsideratë, i pëlqen apo jo, se si ka ndërmend të përballet me një president të mundshëm të ardhshëm, Jordan Bardella, ose me një presidente, Marine Le Pen.
Jacob Ross parashikon mosmarrëveshje në këtë skenar, si në nivel dypalësh ashtu edhe brenda BE. “Do të ketë një potencial të konsiderueshëm për konflikt mbi çështje politike.” Për shembull, në fushën e politikës energjetike, nëse Franca — e cila, ndryshe ngaGjermania, është plotësisht e përkushtuar ndaj energjisë bërthamore — tërhiqet nga tregu evropian i energjisë elektrike.
E njëjta gjë do të vlejë nëse Franca, ashtu siç kanë njoftuar Bardella dhe Le Pen, do të reduktonte në mënyrë drastike kontributet në BE. Pyetja atëherë do të ishte, sipas Ross: a do të duhej Gjermania të paguante edhe më shumë?
Meloni si model?
Megjithatë, eksperti i Francës nuk parashikon fundin e bashkëpunimit franko-gjerman.
Mund të ndodhë e njëjta gjë si me kryeministren italiane të djathtë, Giorgia Meloni. “Në fakt, para fitores së saj në zgjedhje në 2021, shtypi evropian pretendonte se fashizmi po trokiste në derën e Italisë, dhe Meloni më pas u bë relativisht shpejt një partnere, si në nivel evropian ashtu edhe bilateral, të cilën Friedrich Merz e përshkruan si një partnere strategjike.”
“Sigurisht, do të ketë një humbje të caktuar besimi dhe shumë fërkime,” përmbledh Ross, “por nuk do të mjaftojë për të rrëzuar gjithçka nëse, në fakt, fiton një kandidat i RN.”/DW
Fraksion.com

