Rama: Garanci sovrane dhe portofol financimi për bizneset që duan të përgatiten për hyrjen në tregun evropian
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në prezantimin e programit kombëtar për përgatitjen e biznesit për integrimin në Bashkimin Europian, ku theksoi se “do t’i gjendemi pranë bizneseve në këtë përballje me të ardhmen që po vjen me shpejtësi tanimë dhe në mënyrë të pandalshme që është anëtarësimi në Bashkimin Europian”.
Në fjalën e tij, Rama tha se “ne jemi angazhuar në krijimin e këtij programi kombëtar të cilin do ta mbështesim edhe më ekspertizën e UNDP që do të angazhojë në funksion të programit ekspertë të mirëinformuar dhe mirëpërgatitur për të asistuar sipërmarrjen shqiptare”.
“Jemi në kushtet kur na duhet nga një anë të rrisim mbështetjen për sipërmarrjen gjë që e kemi bërë dhe do vazhdojmë ta bëjmë vijimësisht sepse ky është sistemi i sipërmarrjes, ky është sistemi i krijimit të vendeve të reja të punës nga sipërmarrja. Ky është sistemi i zhvillimit ekonomik dhe social përmes lulëzimit të sipërmarrjes, ky është sistemi ku pa sipërmarrësin ka vetëm iluzione dhe humnera pas tyre”, theksoi Rama.
Dhe për këtë arsye, vijoi Rama, “ne duam që në radhë të parë sipërmarrja e vogël dhe e mesme shqiptare të ketë sot shansin që nëse ka kapacitetin e kurajos së mjaftueshme e idesë së qartë për të nesërmen dhe të vullnetit domosdoshëm për ta çuar përpara idenë me kurajo të ketë mbështetjen tonë”.
“Mbështetja jonë për këtë kategori është një mbështetje domethënëse që do të materializohet me hapjen në ditët e ardhshme të programit shqiptar “Dyfisho biznesin tënd”, një garanci sovrane dhe një portofol financimi në mbështetje e të gjithë atyre që do duan të ngjiten më lart, që do duan të rrisin volumin, që do duan të rrisin standardet dhe që do duan të përgatiten për të mos u goditur dhe për të mos u fshirë nga era e fortë e këtij transformimi dhe e përfshirjes në tregun e përbashkët europian”, nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “çdo sipërmarrës i vogël dhe i mesëm që ka gjithçka përveç financimit do ketë financim dhe mbështetjen e qeverisë shqiptare falë linjës së kredisë së Bankës së Shqipërisë dhe marrëveshjes që ne kemi bërë me bankat e nivelit të dytë për interesa të ulët dhe financim domethënës”.
Rama vuri në dukje se “ne nuk do te ndalemi tek një kuotë financimi si ajo që kemi parashikuar. Nëse do të ketë nevojë për më shumë, ne do bëjmë më shumë. Ne do vëmë në dispozicion më shumë, nuk do ndalemi. Nuk do ketë asnjë sipërmarrje të vogël e të mesme që do të paraqesë një ide bindëse dhe një plan të besueshëm që nuk do të mbështet financiarisht”.
Por, shtoi Rama, pikërisht për të lehtësuar këtë proces midis idesë dhe financimit do të shërbejë edhe asistenca për përgatitjen e planeve të biznesit, për përgatitjen e aplikimeve.
Fraksion.com

