“Protestat, lëvizje masive kundër korrupsionit dhe Ramës”, Der Spiegel: Zemërimi i qytetarëve shqiptarë ndaj klasës politike, e jo Trump e Kushner
Revista e njohur gjermane Der Spiegel i ka kushtuar një artikull të detajuar valës së protestave që po përfshin Shqipërinë prej më shumë se një muaji, ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
“Protestat janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër korrupsionit, oligarkisë dhe qeverisë së kryeministrit Edi Rama”, thuhet në shkrimin e gazetës gjermane.
Der Spiegel shkruan se “prej më shumë se një muaji mijëra qytetarë marshojnë rregullisht në rrugët e Tiranës, ndërsa në protesta dëgjohen thirrje kundër kryeministrit dhe mbahen pankarta me mesazhe ndaj tij”.
Raportohet se prej javësh, marshimet në rrugët e Tiranës janë kthyer në një rutinë plot thirrje dhe pankarta kundër kreut të qeverisë. Interesant është fakti se simbol i kësaj kryengritjeje qytetare është bërë flamingoja, e cila përfaqëson mbrojtjen e lagunës së Nartës dhe zonës së Zvërnecit, ku planifikohet investimi masiv prej rreth 4 miliardë dollarësh.
Pjesëmarrësit e shohin korrupsionin si plagën kryesore të vendit, ndaj në shesh dëgjohen thirrje për burgosjen e kryeministrit aktual Edi Rama, por edhe të ish-kryeministrit Sali Berisha, duke dëshmuar një lodhje të përgjithshme ndaj të njëjtave figura politike.
Sipas revistës, kjo lëvizje ka arritur të bëjë bashkë një ylbër të tërë shoqëror, duke bërë bashkë aktivistë mjedisorë, të rinj, pensionistë, përfaqësues të diasporës dhe qytetarë pa përkatësi politike.
Der Spiegel e cilëson këtë si mobilizimin më të madh qytetar në Shqipëri që prej fillimit të viteve 1990. Nga ana tjetër, kryeministri Rama ka zgjedhur të mbajë një qëndrim mohues, duke hedhur poshtë akuzat për korrupsion dhe duke pretenduar se protestat po nxiten nga interesa të jashtme.
Farksion.com

