Protesta dhe seanca në 10:00: Blindohet zona rreth Parlamentit! Bllokohen pedonalja dhe kalaja, deputetët e PS shkojnë herët për të shmangur qytetarë
Një gardh metalik është vendosur në hyrjen e Parlamentit, teksa pritet që në orën 10:00 të nisë seanca e sotme.
Raportohet se janë marrë masa të rrepta sigurie në zonën përreth Parlamentit, teksa ka një bllokim të zonës së pedonales dhe kalasë së Tiranës, ku mund të kalojnë vetëm deputetët.
Në pamjet e siguruara janë pikasur deputetët Igli Hasani dhe Lindita Nikolla deri më tani.

Masat e sigurisë rreth Parlamentit kanë kaluar në një tjetër nivel përpara nisjes së seancës plenare dhe tubimit të qytetarëve. Përveç gardhit metalik dhe rrethimit të zonës së Pedonales, Policia e Shtetit ka sjellë në terren edhe mjete të rënda për menaxhimin e turmave.
Pranë ambienteve të Kuvendit janë pozicionuar tashmë një autoblindë e forcave të sigurisë si dhe një autobot uji, i cili përdoret zakonisht për shpërndarjen e protestuesve në raste të përshkallëzimit të situatës.
Këto masa ekstreme vijnë pas tensioneve dhe episodeve të dhunës policore të regjistruara ditën e martë, ndërsa autoritetet duket se janë përgatitur për çdo skenar të mundshëm përballjeje me protestuesit që pritet të mbërrijnë në shesh rreth orës 10:00.
Fraksion.com

