Berisha: PPE mbështeti kërkesën e PD për krijimin e qeverisë teknike për përgatitjen e zgjedhjeve
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se Partia Popullore Europiane mbështeti kërkesën e PD dhe të lëvizjes rinore për krijimin e qeverisë teknike për përgatitjen e zgjedhjeve.
Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, Berisha u shpreh se ripërtëritja është detyrimi ynë madhor.
“Vetëm një forcë politike e ripërtërirë disponon të gjithë energjitë, të gjithë forcën, të gjithë vizionin, të gjithë potencialet për organizim dhe modernitet për të përmbushur misionin e saj”, tha Berisha, ndërsa shprehu besimin se ky organ do të vazhdojë në frymën e Kuvendit Kombëtar të PD.
Duke sjellë në vëmendje protestat e organizuara nga PD, Berisha tha se ia dolëm të paraqesim të vërtetën shqiptare para komunitetit ndërkombëtar.
“Dje, zhvilloi punimet asambleja politike e PPE. Dokumentet e paraqitura për Shqipërinë, raporti i misionit faktmbledhës të ardhur në muajin shkurt në Shqipëri me kërkesën e PD, rezoluta e dorëzuar tre ditë më parë e PD-së, më dhanë mua mundësinë që në atë audiencë të bëj paraqitjen më të pazakontë që mund të ketë bërë njeri ndonjëherë. Ia kushtova fjalën time betejës së PD me organizatën kriminale që drejton sot Shqipërinë me në krye Edi Ramën. Pati vetëm vlerësime”, tha ai.
Ndërkohë, Berisha theksoi se dje në Vjenë, në asamblenë e PPE, u miratuan me unanimitet të plotë dy dokumente më të jashtëzakonshme se kurrë më parë për Shqipërinë.
“I shpreh një mirënjohje të pakufishme presidentit të PPE, Manfred Veber, sekretares Dolores Montserat dhe të gjithë atyre përfaqësuesve të PPE që erdhën në Shqipëri për t’i parë gjerat në vend. Si raporti, ashtu edhe rezoluta, kërkojnë një mbështetje të madhe për kërkesën e PD, por edhe kërkesën e lëvizjes rinore qytetare, krijimin e qeverisë teknike për përgatitjen e zgjedhjeve. Pra, kuadri ligjor ndërkombëtar u votua dje”, shtoi ai.
Ndërkohë Berisha theksoi se PD ka një mbështetje të jashtëzakonshme.
“Në raport dhe në rezolutë, nga alfa tek omega, trajtohen të gjitha të vërtetat dramatike të këtij sistemi. Kjo mbështetje e jashtëzakonshme për PD-në, është një detyrim madhor, t’i përgjigjemi me një angazhim të plotë dhe total në këtë betejë për shpëtimin e Shqipërisë”, shtoi ai.
Fralsion.com

