Festë e diversitetit kulturor të Kosovës
Në Prishtinë u hap festivali “Të festojmë ngjashmëritë tona”, festival që për tri ditë radhazi synon të përcjellë mesazhin e dialogut ndërkulturor, bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë në Kosovë. Festivali, me edicionin e tetë të tij, organizohet nga organizata Voice of Roma, Ashkali dhe Egjiptas, që përfaqëson komunitete pakicë jo shqiptare. Në kuadër të këtij festivali multikulturor “Të festojmë ngjashmëritë tona”, qytetarët kanë mundësi të shohin ekspozime artistike dhe kulturore që pasqyrojnë traditat, identitetin dhe diversitetin e komuniteteve pakicë në Kosovë. Programi përfshin instalacione publike, performanca artistike, poezi, aktivitete kulturore dhe prezantime të trashëgimisë së komuniteteve të ndryshme. Festivali “Të festojmë ngjashmëritë tona”, sipas organizatorit dhe drejtorit të VoRAE, Isak Skenderi, “ka krijuar hapësira ku njerëzit takohen, njohin njëri-tjetrin dhe kuptojnë se kemi shumë më tepër gjëra që na bashkojnë sesa që na ndajnë”.

Ura mirëkuptimi
Sipas organizatorit, Skenderi, nga ky festival, përmes kulturës, dialogut dhe bashkëpunimit, janë ndërtuar ura mirëkuptimi, respekti dhe barazie. “E ardhmja që synojmë të ndërtojmë është një e ardhme ku diversiteti vlerësohet, barazia është reale dhe secili person ka mundësinë të zhvillohet dhe të ketë sukses”, thekson Skenderi. Edhe me këtë edicion krijohet një mundësi për të ndërtuar ura të reja mirëkuptimi dhe respekti, për të pranuar dhe vlerësuar diversitetin që na bën më të pasur si shoqëri, sipas tij. “Ky festival është dëshmi e përpjekjeve të vazhdueshme për të promovuar bashkëjetesën, respektin dhe solidaritetin mes njerëzve, artit dhe kulturës që e bën Kosovën më të pasur dhe se diversiteti kulturor duhet parë si pasuri e përbashkët e shoqërisë”.

Kurti: Platformë e dialogut ndërkulturor dhe bashkëjetesës
Për kryeministrin e Kosovës në detyrë, Albin Kurti festivali “Të festojmë ngjashmëritë tona” është një ngjarje, tashmë e “konsoliduar me platformë të dialogut ndërkulturor, bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë”. “Festivali nuk është vetëm festë. Është pasqyrë e mënyrës se si Republika e Kosovës e kupton dhe e ndërton vetveten si shtet demokratik, i hapur dhe gjithëpërfshirës. Diversiteti kulturor është pjesë e identitetit tonë dhe një nga pasuritë e mëdha të Kosovës. Është pasuri që duhet ta ruajmë, ta promovojmë dhe ta përcjellim tek brezat e rinj”, u shpreh Kurti. Sipas tij, tashmë në fushën e arsimit janë ndarë rreth 2,000 bursa për nxënësit romë, ashkalinj dhe egjiptianë në shkollat e mesme, ku shumica e përfituesve kanë qenë vajza.

Në Kosovë, komunitetet pakicë, romë, ashkali dhe egjiptas përbëjnë rreth 2% të popullatës. Kosova me Kushtetutën e saj e përcakton vendin si një republikë e ndërtuar mbi parimin se të gjithë qytetarët, pa dallim etnie, gjuhe, kulture, feje apo prejardhjeje, kanë vend të barabartë në jetën publike, shoqërore dhe institucionale./DW
Fraksion.com

