Macron pas takimit me Ramën: Franca riafirmon mbështetjen për integrimin evropian të Shqipërisë
Kryeministri Edi Rama u prit sot në takim në Pallatin “Elysée” nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Pas bisedimeve, presidenti Macron reagoi në platformën “X”, ku vlerësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Francës, duke theksuar bashkëpunimin në fusha si inovacioni, arsimi, kultura dhe turizmi, ndërsa rikonfirmoi mbështetjen e Francës për integrimin europian të Shqipërisë dhe vazhdimin e reformave në rrugën drejt BE-së.
“Zhvillimet pozitive të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Francës në fushat e inovacionit, edukimit dhe arsimit të lartë, kulturës dhe turizmit, dëshmon afërsinë mes dy vendeve tona”, shkroi presidenti Macron.
“Ne dëshirojmë t’i japim një shtysë të re kësaj marrëdhënieje, ndërkohë që vazhdojmë të forcojmë bashkëpunimin tonë në fushat e ekonomisë dhe të mbrojtjes”, shtoi ai në postim pas takimit me Kryeministrin Rama.
Presidenti Macron vuri në dukje se Franca rikonfirmon mbështetjen e saj për integrimin evropian të Shqipërisë dhe për vijimin e reformave të nevojshme për të avancuar në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian.
Fraksion.com

