AktualitetPolitikëTë fundit

“Nevojë për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse”, Bardhi në Strasburg: Rruga europiane e Shqipërisë kalon përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme

Deputetët e Partisë Demokratike, kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, deputetja Jorida Tabaku dhe nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj gjatë vizitës në Parlamentin Europian në Strasburg zhvilluan takime me disa eurodeputetë të grupit të Partive Popullore Europiane (EPP), ku u diskutua mbi situatën politike në Shqipëri dhe procesin e integrimit europian të vendit.

Në një reagim, Bardhi bëri të ditur se u takua me eurodeputetin Michael Gahler, koordinator i grupit EPP, eurodeputetin Marco Tarquinio, kryetar i Komitetit të Përbashkët Parlamentar Shqipëri-BE, si dhe me eurodeputetët Reinhold Lopatka dhe Davor Ivo Stier.

Gjatë takimeve, Bardhi i falënderoi eurodeputetët për mbështetjen e dhënë për raportin e Parlamentit Europian për Shqipërinë, të cilin e cilësoi si një dokument që pasqyron në mënyrë realiste situatën në vend dhe sfidat që duhet të adresohen në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Sipas Bardhit, raporti nënvizon se rruga europiane e Shqipërisë kalon përmes garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si dhe përmes realizimit të një reforme zgjedhore gjithëpërfshirëse.

“Rruga europiane e Shqipërisë kalon përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duke vendosur në qendër nevojën për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe mbi të gjitha për vullnet politik real që garanton standardet demokratike”, u shpreh Bardhi.

Ai theksoi se forcimi i institucioneve demokratike dhe respektimi i standardeve europiane mbeten elemente kyçe për avancimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com