AktualitetPolitikëTë fundit

Komisioni i Venecias: Forcimi i mbikëqyrjes së financimit të partive, raportim i të gjitha burimeve deri te shpenzimet për median

Komisioni i Venecias ka publikuar opinion i Përbashkët me Drejtorinë e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut dhe Sundimit të Ligjit (DGI) të Këshillit të Evropës mbi Projektligjin “Për Financimin e Partive Politike” të dakordësuara mes PS-së dhe PD-së.

Në raportin prej 38 faqesh, ekspertët pranë Komisionit të Venecias e vlerësojnë këtë projektligj si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të kuadrit ligjor për financimin politik, rritjes së transparencës dhe forcimit të kontrollit mbi të ardhurat dhe shpenzimet e partive.

Ndër të tjera, Komisioni i Venecias ka adresuar disa rekomandime për reflektim në këtë projektligj duke kërkuar që të sigurohen rregullat në lidhje me financimin e rregullt të partive dhe financimin e fushatave zgjedhore, të jenë të harmonizuara dhe të mos bien ndesh me njëra-tjetrën.

Ekspertët ndërkombëtare rekomandojnë garantimin e rregullores më të sakta dhe më të detajuara në Projektligj, duke i lënë vetëm detajet teknike legjislacionit dytësor, dhe garantimin që rregullat zbatuese të miratuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Këshilli i Ministrave të bazohen në kritere mjaftueshëm të sakta, objektive dhe të parashikueshme

Një tjetër pikë e evidentuar është rregullimi më gjithëpërfshirës i financimit të fshehur dhe financimit indirekt nga palët e treta dhe subjektet e lidhura ose të kontrolluara nga partitë politike.

Gjithashtu, në raport nënvizohet se duhen bërë të qartë në ligj se raportet financiare të partive politike duhet të përfshijnë, në mënyrë të detajuar, të gjitha burimet e të ardhurave, shpenzimet, asetet, detyrimet, kreditë, borxhet, garancitë, kontributet në natyrë, shërbimet nën vlerën e tregut, transaksionet e subjekteve të lidhura, mbështetjen publike në natyrë, shpenzimet për median dhe komunikimin digjital, dhe grantin për barazinë gjinore dhe të rinjtë; dhe duke marrë në konsideratë detyrimet më të shpeshta të raportimit, veçanërisht në vitet zgjedhore.

Po ashtu, një tjetër rekomandim është forcimi i mbikëqyrjes së financimit të partive, duke përfshirë krijimin e mekanizmave të përcaktuar qartë për bashkëpunim midis Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe agjencive të tjera shtetërore, dhe sigurimi që Komisioni të ketë një mandat të qartë, autoritetin dhe burimet e mjaftueshme për të mbikëqyrur në mënyrë efektive dhe proaktive financimin e partive politike dhe për të hetuar shkeljet e supozuara të rregulloreve të financimit politik.

Komisioni i Venecia rekomandon edhe rregullimin në mënyrë më të detajuar të “strukturës përgjegjëse për financimin, monitorimin dhe kontrollin e financimit të partive politike” e cila është planifikuar të krijohet brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke përfshirë mbrojtjet e pavarësisë së asaj strukture; dhe forcim i pavarësisë së ekspertëve të kontabilitetit të cilët janë të ngarkuar të auditojnë raportet financiare të partive

Rekomandimi i fundit i ekspertëve ndërkombëtarë është për rishikimin e dispozitave sanksionuese për të siguruar që sanksionet të jenë të disponueshme për shkeljet e të gjitha detyrimeve dhe ndalimeve sipas Projektligjit si dhe ofrimin e një game më të gjerë sanksionesh të ndryshme për të siguruar që ato të jenë efektive, proporcionale dhe dekurajuese si dhe shqyrtimin e rritjes së diapazonit të gjobave të caktuara administrative.

Në lidhje me masën e ndalimit të një partie nga pjesëmarrja në zgjedhje në rast të shkeljeve të caktuara të ligjit, Komisioni i Venecias rekomandon që ky mekanizëm të zbatohet vetëm për raste serioze, si masë e fundit, pas njoftimit, mundësi për korrigjim dhe shqyrtim efektiv gjyqësor.

 

Fraksion.com

 

 

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com