AktualitetPolitikëTë fundit

“Ekstremistë kërkojnë pushtet nga rruga”, Rama: Protestuesit pengojnë qytetarët që ndjekin Botërorin në shesh

Kryeministri Edi Rama reagoi sot sërish për protestat që po mbahen në Tiranë.

Rama ndau një video ku shihen protestuesit të cilët vendosen në fan zone-n e ngritur për Botërorin 2026 në qendër të Tiranës duke penguar qytetarët dhe familjarë që janë ulur aty të shijojnë emocionet e Kupës së Botës.

Rama shprehet se një nga mësimet e vyera të historisë është se ekstremizmi e kërkon pushtetin duke filluar me rrugën.

Një grup vendos se ka të drejtë të frikësojë të tjerët për hir të atdheut. Britma zë vendin e argumentit. Rrethimi zë vendin e dialogut. Intimidimi paraqitet si aktivizëm dhe linçimi publik i tradhtarëve si drejtësi e Zotit në emër të popullit”, analizoi Rama.

Rama shton se, “kështu vepruan lëvizjet ekstremiste në Europën e paraluftës dhe kështu bëjnë edhe sot, duke e rritur eksponencialisht presionin mbi hapësirën demokratike falë rrugëve pa kontroll të internetit”.

“Kush nuk mendon si turma bëhet objekt i bullizmit masiv online, i fyerjeve, kërcënimeve, linçimit publik dhe fushatave të organizuara të damkosjes. Qëllimi nuk është debati. Qëllimi është heshtja. Të krijohet një klimë ku njerëzit zgjedhin të heshtin, jo sepse nuk kanë ç’të thonë, por sepse kostoja e të folurit bëhet shumë e lartë”, shkruan kreu i qeverisë.

“Historianët bien dakord se terrori i rrugës fillon me akte që duken “të vogla”, me sharje, intimidim, poshtërim publik, marshime rrugësh automobilistike dhe sulme të përzgjedhura ndaj individëve, ndërkohë që turma digjitale shumëfishon frikën dhe presionin”, thekson më tej Rama.

Rama shprehet se videoja nga qendra e Tiranës mbrëmë flet vetë dhe është një tjetër pasqyrë ku mund të shihet çdokush që sheh qytetari demokratike në fjalorin e kësaj proteste, që nga tribuna e sharjeve, tek koret e linçimeve dhe ulërimat e marshuesve.

Screenshot 9

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com