AktualitetTë fundit

Kërkon transmetim live të gjykimit: Veliaj nuk paraqitet në seancë,

Këtë të martë, 16 qershor, mbahet seanca e radhës ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Ai nuk është paraqitur në seancë, por i është drejtuar me një kërkesë që gjykimi ndaj tij në GJKKO të transmetohet drejtpërdrejt për publikun, ose përmes kamerave të mediave, ose përmes një sinjali zyrtar të vetë gjykatës.

Argumentet kryesore që Veliaj paraqet janë:

– Procesi është publik sipas ligjit, ndaj transparenca nuk duhet të mbetet vetëm formale, por të realizohet në praktikë duke i dhënë mundësi qytetarëve ta ndjekin drejtpërdrejt.

-Interesi publik është i lartë, pasi ai është Kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe akuzat lidhen me ushtrimin e detyrës së tij publike.

-Kapaciteti i sallës së gjyqit është i kufizuar, ndaj vetëm disa persona dhe gazetarë mund të jenë fizikisht të pranishëm, çka sipas tij nuk garanton transparencë të plotë.

-Transmetimi live nuk cenon procesin gjyqësor, duke sjellë si shembull praktikën e Gjykatës Kushtetuese, e cila transmeton seancat publike.

Veliaj kundërshton mundësinë që kërkesa të refuzohet bazuar në një udhëzim të KLGJ-së për mediat, duke pretenduar se një akt administrativ nuk mund të kufizojë një të drejtë të garantuar nga Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës Penale.

Sipas tij, kamerat mund të ndalohen vetëm nëse gjykata provon se ekziston një rrezik konkret për procesin, dëshmitarët, privatësinë ose sigurinë, dhe jo në mënyrë të përgjithshme.

Ai thekson se, nëse gjatë procesit lind nevoja për mbrojtjen e të dhënave sensitive, gjykata mund të vendosë kufizime të pjesshme, por jo të ndalojë transmetimin e gjithë gjykimit.

Lidhur me mungesën e tij, Veliaj përmes një deklarate të dërguar në gjykatë, ka bërë me dije se është në dijeni të zhvillimit të seancës, por nuk dëshiron të marrë pjesë në të. Sipas Veliajt, arsyeja e mungesës lidhet me faktin se nuk i janë vënë në dispozicion 24 fashikujt e dosjes dhe provat digjitale. Ai pretendon gjithashtu se gjykata nuk ka zbatuar dispozitën ligjore që, sipas tij, i garanton të drejtën për të qenë i pranishëm në sallën e gjyqit si person i lirë.

Avokati i tij, Ndreca, theksoi se duhet të garantohet njohja me aktet, e më pas të vijohet gjykimi.

Prokurori i Posaçëm Ols Dado, kundërshtoi kërkesën për shtyrjen e gjykimit, duke deklaruar se nuk ekziston asnjë arsye ligjore për pezullimin e procesit, pasi të gjitha aktet janë vënë në dispozicion nga gjykata.

Sipas Dados, dokumentet proceduriale që kërkohen nga mbrojtja lidhen me të pandehur të tjerë dhe me episode të veçanta të hetimit, të cilat nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me pozicionin procedural të Erion Veliajt.

Pas shqyrtimit të pretendimeve, gjykata vendosi vijimin e seancës, duke argumentuar se vënia në dispozicion e akteve të kërkuara, për shkak të natyrës së tyre, nuk përbën shkak për ndërprerjen apo shtyrjen e gjykimit.

Gjykata bëri me dije se më 3 qershor 2026 është shqyrtuar kërkesa për heqje dorë nga gjykimi e gjyqtarit Besmir Stroka, e cila është rrëzuar nga zv.kryetari i gjykatës.

Avokati i Erion Veliajt ka kërkuar lejimin e transmetimit live të seancave, duke pretenduar se seanca publike nuk po garantohet realisht pa kamera, si dhe ka kërkuar që klienti i tij të mos qëndrojë në kafazin e xhamit, por pranë avokatit gjatë procesit. Sipas tij, kjo ndikon në të drejtën e mbrojtjes dhe dinjitetin e të pandehurit.

Mbrojtja ka kërkuar gjithashtu kohë shtesë për t’u njohur me provat digjitale dhe mundësi për të paraqitur kërkesa për pavlefshmëri aktesh, si dhe ka kërkuar ndryshim të ritmit të seancave gjyqësore nga një herë në javë në një interval më të gjatë, duke e konsideruar aktualin të pamjaftueshëm për mbrojtje efektive.

Avokati i Ajola Xoxës ka kërkuar shtyrje të seancës për t’u njohur me aktet.

Nga ana tjetër, prokuroria ka kërkuar rrëzimin e të gjitha kërkesave, duke theksuar se seanca është publike edhe pa transmetim live dhe se një praktikë e tillë nuk zbatohet në proceset penale. Prokurorët kanë kundërshtuar gjithashtu ndarjen e çështjes për disa të pandehur, duke argumentuar se procedimi është i lidhur dhe provat janë të ndërlidhura.

Prokuroria është shprehur kundër edhe kërkesës për ndryshimin e kushteve të sigurisë në sallën e gjyqit, duke theksuar se masat aktuale garantojnë rendin dhe sigurinë.

Gjykata e Posaçme, pasi u tërhoq në dhomë këshillimi, ka vendosur të mos pranojë kërkesën për transmetimin live të seancave gjyqësore, duke argumentuar se është shprehur më herët për këtë çështje pas kërkesave të mediave dhe një vendimi të mëparshëm.

Sa i përket provave digjitale, gjykata është shprehur se nëse ato do të merren parasysh, do të shqyrtohen në praninë e palëve dhe do t’i nënshtrohen procesit të rregullt gjyqësor.

Gjithashtu, u rrëzua kërkesa për nxjerrjen e Erion Veliajt nga kafazi i xhamit, me argumentin se mënyra e qëndrimit të të pandehurit në sallën e gjyqit nuk cenon prezumimin e pafajësisë.

Për kërkesën që seancat të zhvillohen çdo dy javë, gjykata theksoi se ligji parashikon gjykim të pandërprerë dhe vendosi që procesi të vijojë çdo javë.

Seanca e radhës është caktuar më 23 qershor, ora 10:00.

Kujtojmë se më 27 prill, dosja e Veliajt u nda në dy fraksione, pasi u pranua kërkesa e 11 të pandehurve. Mes tyre, biznesmeni Elman Abule dhe ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka, që kërkuan gjykim të shkurtuar.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com